Përparim Rama: Lajmi i mirë u alokua fondi 28 mln euro për mjetet financiare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Ministria e Financave ka filluar alokimin e pjesshëm të mjeteve financiare në vlerë prej 28 milionë euro, të cilat vijnë nga bartja e buxhetit të vitit 2024.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se ky është një lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit, ndërsa bëri të ditur se Drejtoria e Financave do të punojë jashtë orarit për të përshpejtuar procesimin e pagesave.
Sipas tij, komuna do të vazhdojë me realizimin e pagesave në përputhje me ritmin e alokimit nga Ministria e Financave, ndërsa pret që shumë shpejt të përfundojë transferimi i plotë i shumës prej 28 milionë eurosh.
Kryetari Rama u ka shprehur falënderime qytetarëve dhe punëtorëve për, siç u shpreh ai, “mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin” gjatë pritjes për realizimin e këtyre mjeteve.



