LajmeMaqedoniTopLajm

Për piroteknikën vinte një person nga Shkupi, por natën e zjarrit nuk ishte në “Pulse”, pretendon dëshmitari

Zjarri në lokalin “Pulse” u shkaktua nga mjetet piroteknike. Flakët u përhapën me shpejtësi të madhe sepse i gjithë tavani ishte i ndërtuar nga sfungjer, deklaroi në dëshminë e tij Petar Markovski, i cili dëshmoi në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në të ashtuquajturin kabare, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

Ai arriti të shpëtojë, por edhe sot e kësaj dite vuan pasojat, pasi në ngjarje iu dëmtuan rrugët e frymëmarrjes.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, Markovski tha se kishte qenë vizitor i shpeshtë i “Pulse”-it që nga mosha 18-vjeçare, ndërsa sot është 25 vjeç. Natën kritike kishte shkuar për shkak të koncertit të grupit DNK. Ishte me disa shokë dhe në objekt kishin hyrë në orën 00:45 pas mesnate. Biletat i kishin blerë nga Todor Jovanov, vëllai i pronarit të “Pulse”-it, Dejan Jovanov-Deko, i cili ishte përgjegjës për shitjen e tyre. Ai tha se nuk u ishte lëshuar kupon fiskal, gjë që, sipas tij, kishte ndodhur edhe gjatë vizitave të mëparshme.

Nga sigurimi atë mbrëmje ishin të pranishëm Llazar Zahariev, Martin Gjorgjiev, Ivica (mbiemrin nuk e di) dhe edhe një person tjetër.

“Kontrollonin letërnjoftimet dhe u vendosnin vulë në dorë atyre që kishin bileta. Mua nuk më kërkuan dokument identifikimi, sepse më njihnin”,
tha ai.

Duke përshkruar hyrjen e kabarese dhe konkretisht derën pas banakut, Markovski tha se ajo përdorej si dalje për të miturit gjatë kontrolleve policore. Ai konfirmoi se natën kritike në “Pulse” kishte edhe të mitur. Sipas tij, nuk kishte vënë re sigurim aktiv dhe nuk kishte parë as punonjës policie brenda objektit.

Sa i përket piroteknikës, dëshmitari tha se ajo ishte përdorur edhe më herët, të paktën dhjetë herë gjatë vizitave të tij në “Pulse”. Ai i përshkroi mjetet si shkëndija (prskalka) dhe tha se në fillim të mbrëmjes gjithçka dukej normale.

“Gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur sugjerova të shkonim të pinim diçka te banaku. Pikërisht atëherë u aktivizuan shkëndijat. Mendoj se ishte rreth orës 02:30. Tavani filloi të digjej. Atëherë shpërtheu paniku dhe njerëzit u drejtuan kah dalja. Zjarri u përhap me shpejtësi të madhe sepse i gjithë tavani ishte prej sfungjeri”,
tha ai.

I pyetur nga gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska se si e dinte që tavani ishte prej sfungjeri, dëshmitari tha se këtë e dinte nga vitet e mëparshme dhe se materiali ishte i dukshëm. Ai shtoi se të gjithë u drejtuan kah hyrja/dalja kryesore.

“Të gjithë ishin në panik dhe para derës u krijua një stampedo, gjatë të cilit humba ndjenjat. Pas disa minutash më zgjoi një vajzë që më njihte. Mbi mua ishin tre persona të tjerë të pavetëdijshëm dhe isha i bllokuar nën ta. U detyrova t’i heq atletet për t’u ngritur. Pastaj vazhdova drejt daljes. Në atë moment shokët më thërrisnin për ndihmë sepse një nga miqtë tanë më të afërt ishte shtrirë në parkingun para diskotekës. Ndihmoja këdo që kishte nevojë. Pas disa minutash u nisëm drejt spitalit për të ndihmuar, sepse e shihnim se situata ishte kaotike”,
deklaroi ai.

Në pyetjen nëse dikush i kishte udhëzuar si ta linin objektin, dëshmitari u përgjigj negativisht, duke shtuar se gjithçka ishte kaos.

Ai tha se nuk mban mend nëse kishte aparate kundër zjarrit, por natën kritike e kishte parë pronarin Dejan Jovanov-Deko duke u përpjekur ta shuante zjarrin në skenë.

Lidhur me lëndimet, Markovski tha se ishte trajtuar në Slloveni dhe në raportin mjekësor shkruante se kishte djegie të rrugëve të frymëmarrjes.

Pas tij dëshmoi Dejan Manasiev, i cili që nga viti 2012 kishte punuar si banakier në “Pulse”. Ai tha se nuk kishte kontratë pune dhe se nga viti 2023 ishte i siguruar vetëm me gjysmë orari. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Manasiev deklaroi se nuk kishte parë kush i solli dhe kush i aktivizoi mjetet piroteknike. Ai shtoi se në ngjarjet e mëparshme, piroteknikën e vendoste një person nga Shkupi me flokë të bardhë, i cili natën kritike nuk ishte i pranishëm.

Sa i përket masave të sigurisë, ai tha se kishte parë aparate kundër zjarrit – një në korridor, një në sportelin e biletave dhe ndoshta edhe një tjetër diku tjetër. Nuk mund të kujtonte nëse kishte hidrante brenda ose jashtë objektit, por tha se kishte plan evakuimi, i vendosur në korridorin e vogël mes hyrjes kryesore dhe dyerve “kauboj” përmes të cilave hynte publiku në kabare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close