
Së fundmi, në këtë rrugë është dëmtuar shtylla elektrike e ndriçimit publik. Momenti i dëmtimit të shtyllës elektrike është kapur edhe nga kamerat e sigurisë, ku shihet një vozitës i pakujdesshëm që e dëmton këtë shtyllë. Pas këtij dëmtimi ka reaguar edhe komuna e Tetovës, e cila dënoi ashpër këtë sjellje të pahijshme nga qytetarët e pandërgjegjshëm
Urim HASIPI
Tetovë, 2 prill – Rruga e njohur e butiqeve në Tetovë do të duhej të ishte një nga rrugët që do të rikthente gjallërinë e dikurshme në këtë zonë të qytetit të Tetovës. E rregulluar me kalldrëme, me ndriçim dhe me ulëse, kjo rrugë që nga nëntori i vitit të kaluar ishte rikthyer një destinacion të preferuar për qytetarët për shkak të pamjes unike. Por, fatkeqësisht, pamja e re në këtë rrugë nuk i përmbush pritshmëritë sepse brenda tre muajve dy herë dëmtohet nga njerëzit. Me ose pa qëllim shkaktohet këto dëme kjo mbetet të zbardhet nga policia, por dukuria e dëmtimit të pronës publike mbetet një nga problemet më të shëmtuara në Tetovës.
Së fundmi, në këtë rrugë është dëmtuar shtylla elektrike e ndriçimit publik. Momenti i dëmtimit të shtyllës elektrike është kapur edhe nga kamerat e sigurisë, ku shihet një vozitës i pakujdesshëm që e dëmton këtë shtyllë. Pas këtij dëmtimi ka reaguar edhe komuna e Tetovës, e cila dënoi ashpër këtë sjellje të pahijshme nga qytetarët e pandërgjegjshëm, të cilët po shkatërrojnë hapësirën publike tek rruga e butiqeve.
“Sigurisht që nuk është hera e parë që ndodhin dëmtime të këtilla. Herën e fundit është dëmtuar shtylla elektrike, kurse herave tjera janë dëmtuar pemët e mbjellura dhe kontejnerët në këtë rrugë. Do të ishte për keqardhje nëse këto dëmtime do të ndodhnin me qëllim, sepse ajo është pronë publike dhe nuk i përket vetëm komunës së Tetovës por gjithë qytetarëve”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës. Nga ana tjetër, qytetarët që gravitojnë në këtë lagje janë shprehur të irrituar me këto dëmtime që ndodhin në këtë rrugë, sepse nuk është hera e parë që ndodhin raste të këtilla. Problem në vete është se në rrugë nuk është vendosur regjim i veçantë i komunikacionit dhe banorët kanë probleme me parkimin e veturave. Prandaj, paralajmërimet janë se vetëm do të kenë të drejtë të qarkullojnë në këtë rrugë.
Sipas autoriteteve lokale, qasje në këtë rrugë do të kenë vetëm banorët e kësaj lagje ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve nuk do të lejohet parkimi. Kjo do të bëhet në marrëveshje me banorët. Nga komuna e Tetovës njoftuan se janë duke kompletuar dokumentacionin përkatës i cili do të dorëzohet në policinë e Tetovës për të zbardhur tërësisht këtë rast. Njëkohësisht, apelohet deri tek qytetarët që mos ta dëmtojnë pronën publike, por të kujdesen edhe më shumë për to. Jo rrallë herë, pas rregullimit të kësaj rruge me fonde ndërkombëtare, janë dëmtuar koshet për mbeturina, ndriçimi publik dhe ulëset. Deri më tash askush nuk është marrë në përgjegjësi për këto dëmtime. (koha.mk)



