
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të martën se administrata e presidentit Donald Trump nuk e përjashton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Iranit, duke rritur tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit.
Duke folur për gazetarët, Hegseth u shpreh se Uashingtoni nuk përjashton sulme ndaj objektivave në Hormuz apo në territorin iranian.
“Në asnjë mënyrë nuk po përjashtojmë sulmet kudo në Ngushticën e Hormuzit ose përreth Iranit”, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes.
Hegseth argumentoi se presioni ekonomik ndaj Iranit mund të jetë i mjaftueshëm për ta detyruar Teheranin të ndryshojë qëndrimin e tij, por paralajmërimi për mundësinë e veprimeve ushtarake tregon se opsioni i forcës mbetet në tryezën e Uashingtonit.



