
Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast biseduan për situatat në Kosovë dhe pritjet nga dialogu, për zhvillimet e fundit të ngjarjeve në rajon, ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.
“Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut, si edhe më parë, në mënyrë aktive do të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit rajonal për të siguruar paqen, stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Në këtë drejtim, presidenti theksoi se vendi ynë mbështet dialogun Beograd-Prishtinë për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, duke theksuar se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë”; theksohet në kumtesën nga kabineti i Presidentit.

Në takim, theksohet, është biseduar për situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa është theksuar rëndësia e sigurimit të dialogut politik konstruktiv dhe zbatimi i plotë i proceseve reformuese në fushat kyçe.
“Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përshëndeti mbledhjen e sotme të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim”, qëndron në kumtesë.



