LajmeMaqedoniTopLajm

Pendarovski-Ageler: SHBA-ja mbetet partner i fuqishëm, aleat dhe mik i Maqedonisë së Veriut

Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anxhela Prajs Ageler, njoftoi zyra e kreut të shtetit.

Duke i uruar mirëseardhje dhe sukses në punën e saj, Pendarovski theksoi se fakti që ky nuk është qëndrimi i parë diplomatik në Shkup i Ageler dhe se ajo është njohëse e shkëlqyer e gjendjes në vend, paraqet supozim të rëndësishëm për pasurimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i konsiderojmë mik të madh, partner të rëndësishëm ekonomik dhe përkrahës të sinqertë në momentet më të vështira që nga pavarësia jonë. Megjithatë, përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve tona është aksiomë e jashtme politike, e cila është prioritet i të gjithë faktorëve relevantë politikë në Maqedoninë e Veriut”, theksoi presidenti Pendarovski pas marrjes së letrave kredenciale nga ambasadorja Ageler.

Ai theksoi se marrëdhëniet dypalëshe po ndërtohen dhe përparojnë si aleatë në Aleancën e NATO-s, duke ndarë vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe angazhimet për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Në kontekstin e sfidave të fundit gjeopolitike dhe agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, më lejoni të deklaroj se miqësia jonë e fortë po fiton edhe më shumë rëndësi dhe është një garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit tim dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tërësi”, tha kreu i shtetit.

Ai vlerësoi se dialogu politik mes dy vendeve po intensifikohet vazhdimisht dhe zhvillohet në nivele të shumëfishta. Ai shprehu kënaqësi të veçantë për faktin që këtë vit filluam Dialogun Strategjik, si vendi i parë nga Ballkani Perëndimor.

Pendarovski falënderoi për mbështetjen e deritanishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke theksuar se është i bindur se reformat në fushat kyçe: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsioni, kultivimi i kulturës së përgjegjësisë, transparencës dhe funksionalitetit të institucioneve, duhet të përcaktojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë maqedonase dhe anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian.

Ambasadorja Ageler theksoi se është krenare që përfaqëson presidentin dhe popullin amerikan si ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Kam pasur një privilegj të madh të shërbeja këtu, në këtë vend të bukur, kulturën, njerëzit, gjuhët dhe historinë e të cilit i doja. Në periudhën që kur isha për herë të fundit këtu, Maqedonia e Veriut u përball me sfida të mëdha dhe mori vendime të vështira, vendime që e çuan vendin përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike. Ky vend ndryshoi emrin e tij për t’u bërë anëtari i 30-të i Aleancës së NATO-s – aleati ynë më i ri. I hapi negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke forcuar pozicionin e saj si lider në ndërtimin e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Kryesimi juaj i ardhshëm me OSBE-në në vitin 2023 tregon rolin kyç që vendi luan për të ardhmen e Evropës. E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme, pavarësisht se vendi po përballet me sfida të vjetra dhe të reja”, tha Ageler.

Unë jam këtu sot, shtoi ambasadorja, për të premtuar se nuk do të përballeni vetëm me ato sfida.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada dhe unë do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të ndihmuar popullin e Maqedonisë së Veriut që të kenë sukses në pranimin dhe tejkalimin e të gjitha atyre sfidave. Unë ju jap betimin tim personal se ne do të qëndrojmë krah për krah me popullin e këtij vendi, ndërsa vendi realizon qëllimet e tij për paqen, prosperitetin, sigurinë dhe pavarësinë për të gjithë qytetarët e tij”, tha Ageler.

Ajo theksoi se Evropa po përballet me kërcënimin më të madh, i cili nuk është parë me gjenerata, dhe Maqedonia e Veriut, si një aleat i besueshëm, aktiv në NATO, kontribuon për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

“Për më shumë se 30 vjet, ne kemi punuar së bashku për të siguruar vendin e merituar të Maqedonisë së Veriut në komunitetin më të madh evropian, duke mbështetur vlerat themelore të një demokracie të begatë – respektimin e sundimit të ligjit, mundësitë e barabarta për drejtësi, rritje ekonomike dhe shprehje personale, si dhe përmes një angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve në mënyrë të hapur dhe transparente. Maqedonia e Veriut po përballet me sfida në themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Siç vazhdoni ju të ecni përpara, ashtu Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu si partner, aleat dhe mik, duke ruajtur marrëdhëniet që do të bëhen më të forta, më të thella dhe më produktive”, theksoi ambasadorja e re amerikane Anxhel Ageler në dorëzimin e letrave kredenciale te presidenti Stevo Pendarovski.

Related Articles

Back to top button
Close
Close