
Pas disa raportimeve të Periskopit, sot ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Anëtari i kryesisë së PDK, Naim Ismajli ka denoncuar skandalin milionësh të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili pa ankand publik ia ka dhënë pronën publike me qira, impiantin e mbetjeve shtazore, kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” për 20 vjet.
Ismajli, në një konferencë për media, akuzoi ministrin Peci se ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, ku parashihet që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe atë jo më shumë se për 15 vjet, përveç në rastet kur merret vendim në Kuvend.
“Ministria e Bujqësisë, nën drejtimin e ministrit Faton Peci, dhe me aprovimin e Kryeministrit Albin Kurti, ka finalizuar një ndër marrëveshjet më të dëmshme dhe skandaloze për interesin publik, dhënien me qira të një impianti publik me vlerë mbi 10 milionë euro për vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20 vjeçare, ndërkohë që kompania përfituese përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vit”, tha ai.



