BotaLajmeTopLajm

Pasuesi i Merkelit, Laschet premton vazhdim të politikave të Merkelit

Gjermania ka bërë hapin e parë brenda një bote të re, duke zgjedhur liderin e ri të partisë konservatore të Angela Merkelit para zgjedhjeve të vjeshtës, që do të përcaktojnë pasuesin e saj në postin e kancelarit.

Në kohë normale, Arin Laschet, një përkrahës i kamotshëm i Merkelit, që u zgjodh si prijës i Unionit Kristiandemokrat, me siguri të plotë do të ishte pasardhës i saj në shtetin më të fuqishëm të Evropës. Ama këto nuk janë kohë normale.

Merkeli ka qenë forcë dominuese në politikë dhe për më shumë se 15 vjet ka qenë fytyrë e stabilitetit të Gjermanisë. Ka shërbyer si lidere e shtetit dhe e krejt Evropës, duke e drejtuar me sukses anijen evropiane në serinë e krizave. Nën mbikëqyrjen e saj, Gjermania u shndërrua në forcë politike dhe ekonomike në Evropë për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në kohën e demokracisë fragjile të Shteteve të Bashkuara dhe dhunshëm të shfaqur me kaosin në Capitol, shumë njerëz janë duke e pritur në ankth largimin e Merkelit.

“Merkelizmi ka qenë antidotë për trumpizmin”, ka thënë Andrea Römmele, dekane e “Hertie School of Governance” me bazë në Berlin. “Me Merkelin dhe Trumpin që do të largohen sivjet, pyetja e madhe është: ‘Cila trashëgimi do të fitojë?’”, ka shtuar ajo.

Në Gjermani, e ardhmja e konservatorizmit dhe e vetë shtetit është në ajër. Personi që do të jetë kancelar do t’i gdhendë këto të dyja.

Mst: Krah liberal

Laschet cilësohet si krahu më liberal i kristiandemokratëve dhe ka qenë aleat besnik i Merkelit. Tani kryetar i North-Rhine Westphalia, shtetit më të njohur gjerman, ka përkrahur vendimin e saj që të mirëpresë më shumë se një milion refugjatë gjatë vitit 2015.

Duke premtuar vazhdimësi dhe ndryshime, Lanschet doli para delegatëve të shtunën me një fjalim që ishte personal, por me shumë mesazhe. Iu referua të kaluarës së babait si minator dhe u bëri thirrje kolegëve që të mësojnë nga krizat demokratike përtej Atlantikut.

“Vazhdimi i suksesit nuk do të thotë të vazhdosh me të njëjtën mënyrë”, ka thënë Laschet. “Erërat janë edhe më të fuqishme. Forcat kundër nesh janë bërë më të fuqishme. Do t’i bëjmë gjërat ndryshe dhe më jetëgjate pas pandemisë”, ka shtuar lideri i ri i CDU-së.

Mirëpo ende nuk ka garanci se Laschet do të jetë pasardhës, ani pse partia pritet që të fitojë shumicën e votave në zgjedhjet e muajit shtator.

Sondazhet e fundit ofrojnë 37 për qind të përkrahjes për kristiandemokratët, gati dyfish më shumë sesa krejt partitë e tjera politike. Liberalët, të gjelbrit pro-refugjatëve janë të dytët, me 20 për qind, të përcjellë nga socialdemokratët, partnerët e mëdhenj të Merkelit, me 15 për qind.

Partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” është ngritur për 10 për qind që prej fillimit të pandemisë.

Mst: Stabiliteti i partisë

Mbetet e paqartë nëse prirja e kristiandemokratëve është reflektim i popullaritetit të Merkelit – për mbi të gjitha ka paqartësi për stabilitetin e tyre. Laschet, që është shumë prapa në garën për kancelar në disa sondazhe, pak a shumë e di këtë.

“Ka shumë njerëz që mbi të gjitha e pëlqejnë Angela Merkelin dhe pas saj CDU-në. Reputacioni i kancelarit brenda dhe jashtë mund të bëhet shkurt me një fjalë: besimin”, ka thënë Laschet. “Ky besim na duhet si parti. Ky besim nuk ofrohet si dhuratë, nuk mund të trashëgohet dhe as të dorëzohet. Ai duhet të fitohet. Nuk mjaftojnë fjalët e ashpra dhe të buta. Kur fjalët dhe veprat kombinohen mes vete, krijohet besimi”, ka shtuar lideri i CDU-së.

Analistët si Römmele kanë thënë se popullariteti mund të fundoset me largimin e Merkelit. “Zgjedhjet e vjeshtës janë të hapura”, ka thënë ajo. Për këtë arsye kristiandemokratët deri në muajin mars nuk do t’i japin përgjigje pyetjes se kush do t’i prijë partisë në zgjedhjet e ardhshme. Në zgjedhjet e disa shteteve të rëndësishme gjermane do të ketë sinjal se si kanë reaguar votuesit për Laschetin, lider të partisë.

Mst: Dyshimet për popullaritet

Laschet, 59-vjeçar, e merr drejtimin e partisë nga Annegret Kramp-Karrenbauer, ministre e Mbrojtjes, që nuk i përmbushi pritshmëritë për të qenë pasuese e Merkelit në vitin 2018. Pasi dështoi të vendoste pushtetin në parti dhe të frymëzonte votuesit, në vitin 2019 njoftoi dorëheqjen.

Nëse Laschet-in e pret fati i njëjtë në popullaritet, mund të vihet në presion që nominimin për kancelar t’ia dorëzojë njërit prej dy kandidatëve të mundshëm që ende nuk kanë shfaqur dëshirën për garë; Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë, dhe Marcus Söder, lider i shtetit të Bavarisë.

Të dy janë të rinj, ambiciozë dhe politikanët e vetëm gjermanë që vlerësimet i kanë pothuajse të njëjta si të Merkelit. Të dy janë shndërruar nga kritikë të ashpër të Merkelit në aleatë të saj, gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015. Spahn, që përkrah Laschetin, mund të kthehet në favorit, kanë parashikuar analistët gjermanë. Mirëpo Söder, që mbajti një fjalim në konferencën e partisë gjatë së premtes, mposht të gjithë kandidatët në sondazhet gjermane.

I pyetur se cili prej kandidatëve për kancelar do të mund t’ua fitonte konservatorëve zgjedhjet krahasuar me sondazhet e deritanishme, Herfried Munkler, komentues politik, ishte i shkurtër në përgjigje: “Spahn ose Söder.”

Mst: E pazëvendësueshme

Kushdo që siguron nominimin për kancelar, ka gjasa që të jetë katolik i Gjermanisë Perëndimore, që do të ketë një figurë krejt ndryshe nga Merkeli, vajza e një protestanti nga ish-Lindja komuniste, kancelares që i ka dhënë formë Evropës më shumë se secili.

“Me siguri të plotë mund të themi se Merkeli, e njohur për një lidership të veçantë – dëgjuese e thellë, me durim, moderne dhe talent të pabesueshëm për akomodim – ky person në këtë pozitë është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Münkler nga Universiteti i Humboldtit” në Berlin. “Për këtë po i vjen fundi një epoke”. “Nuk do të ndryshojë rolin për Gjermaninë, por do të ndryshojë mënyrën sesi Gjermania shfaq peshën e saj brenda Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.

Mbi të gjitha pasojat e mundshme, zgjedhja e liderit u bë në hije të ngritjes së rasteve të reja me koronavirus në Gjermani. Pandemia ka shtyrë dy herë mbledhjen e partisë. Krejt në fund ajo u mbajt online me 1 mijë e 1 delegatë që morën pjesë.

Për paqartësinë që ka mbizotëruar në politikën gjermane gjatë këtij viti, përkrahës dhe kritikë të kancelares kanë thënë se pas katër mandatesh në krye të shtetit, është koha për ndryshim.

“Largimi i Merkelit është fundi i një periudhe të mirë në historinë gjermane. Ka qenë personifikim i Gjermanisë më të mirë që kemi pasur ndonjëherë. Mirëpo jo gjithmonë ka qenë e drejtë”, ka thënë Timothy Garton Ash, profesor i historisë evropiane në Universitetin e Oxfordit”.

“Lidershipit të Merkelit shpesh i kanë munguar vizioni dhe ambicia kur ishte e kujdesshme në problemet e brendshme të BE-së, në sfidimin e udhëheqësve autokratë të shteteve si Hungaria, por edhe për kalimin e Gjermanisë në një të ardhme të gjelbër dhe digjitale”, ka thënë Garton Ash.

Nëse, siç presin shumë njerëz, kristiandemokratët përfundojnë duke bërë koalicion me të gjelbrit, do të ashpërsojë qëndrimin e Gjermanisë ndaj Kinës dhe autokratëve evropianë. Industrinë e saj do ta kthejë nga e ardhmja digjitale.

“Forma e koalicionit të ardhshëm varet nga personaliteti i kancelarit të ri”, ka thënë Garton Ash. \ NYT

Related Articles

Back to top button
Close
Close