
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se, Maqedonia e Veriut ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, pas tragjedisë në Koçan ku si pasojë e zjarrit humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u lënduan.
“Maqedonia e Veriut ka aktivizuar Mekanizmin #EUCivilProtection.
Jemi duke evakuuar viktimat e djegura nga zjarri tragjik në një klub nate në Maqedoninë e Veriut të dielën.
Pacientët janë dërguar në Hungari nga Luksemburgu dhe Rumania po transporton pacientë në Lituani”, ka njoftuar Komisioni Evropian.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe 8 shteteve pjesëmarrëse (Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe së fundmi Shqipëria) për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive.
Kur një emergjencë mposht aftësitë reaguese të një vendi në Evropë dhe më gjerë, ai mund të kërkojë ndihmë nëpërmjet Mekanizmit. Komisioni Evropian luan një rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive në mbarë botën. Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së i është përgjigjur më shumë se 600 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë BE-së.



