BotaLajme

Pas të nxehtit ekstrem mbi 40°C, Evropa goditet nga stuhi dhe përmbytje të forta

Më e goditura ishte Rumania, ku kryeqyteti Bukureshti dhe 20 rajone të tjera u përballën me reshje intensive. Rrugë, ndërtesa e stacione u përmbyten ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë në mijëra raste për të larguar ujin dhe për të pastruar pemët e rrëzuara. Një person madje humbi jetën në rajonin e Ilfovit, pasi një pemë u rrëzua mbi automjetin me të cilin udhëtonte. Ndërkaq autoritetet raportojnë se pas mijëra thirrjeve të marra, qindra shtëpi dhe automjete pësuan dëme nga moti i ligë.

Edhe Austria raportohet të ketë pësuar dëme të shumta nga stuhitë e fuqishme të shoqëruara me reshje të dendura dhe erëra te forta. Përmbytjet lokale shkaktuan dëme në disa rajone, ndërsa autoritetet konfirmuan një viktimë si pasojë e motit ekstrem. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën për të pastruar zonat e prekura dhe rikthimin në normalitet.

Një fenomen i pazakontë u paraqit në Gjermani ku një vorbull uji u formua mbi një liqen në një ngjarje të rrallë moti që shkaktoi trazirë në zonë. Fenomeni u pa duke u formuar mbi Liqenin Constance pranë Lindau.

Meteorologët shpjegojnë se kontrasti mes valës së fortë të të nxehtit dhe depërtimi i ajrit të ftohtë krijon kushte për stuhi të fuqishme që çojnë në përmbytje të menjëhershme. Vazhdojnë paralajmërimet për mot të paqëndrueshëm në disa zona të Evropës Juglindore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close