
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili më herët kishte deklaruar se do të arrestonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai do të vizitonte qytetin, tani thotë se nuk ka autoritetin ligjor për ta bërë këtë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mamdani u bëri thirrje autoriteteve federale amerikane të veprojnë mbi bazën e urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ndaj Netanyahut për akuza të pretenduara për krime lufte.
Sipas rregullave të ICC-së, Netanyahu mund të arrestohet nëse hyn në territorin e një shteti anëtar të gjykatës dhe më pas t’i dorëzohet asaj.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
presidenti Donald Trump deklaroi se Netanyahu nuk do të arrestohej “në asnjë mënyrë, formë apo rrethanë” gjatë qëndrimit të tij në SHBA.
“Ai po lufton kundër Republikës Islamike të Iranit, e cila së fundmi vrau 52 mijë protestues të pafajshëm dhe për 47 vitet e fundit ka vrarë ushtarë amerikanë dhe të tjerë,” shkroi Trump në platformën Truth Social.
Trump reagoi ndaj komenteve që Mamdani kishte bërë në një intervistë për The New York Times, ku tha se ishte në “bisedime aktive” me autoritetet e zbatimit të ligjit për mundësinë e zbatimit të urdhër-arrestit të ICC-së.
Por të martën, Mamdani sqaroi se ekipi i tij kishte shqyrtuar “çdo mundësi të disponueshme” sipas ligjit dhe kishte arritur në përfundimin se qyteti nuk ka autoritet të pavarur ligjor për të zbatuar një urdhër të tillë.
“Qeveria federale, megjithatë, e ka këtë autoritet. Prandaj i bëj thirrje asaj që t’i bashkohet ICC-së dhe të zbatojë këtë urdhër-arrest,” deklaroi Mamdani.



