LajmeMaqedoniTopLajm

Pas dorëheqjes së Kocevskit, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të emërojë sot një prokuror publik në detyrë

Këshilli i Prokurorëve Publikë ka caktuar seancë për sot për të përcaktuar ushtruesin e detyrës së prokurorit publik shtetëror, pasi Ljupço Kocevski dha dorëheqjen e tij të parevokueshme dy ditë më parë. Seanca e Këshillit është caktuar për në orën 11:00, ndërsa “marrja e vendimit për përcaktimin e ushtruesit të detyrës së prokurorit publik të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut” është pika e vetme në rendin e ditës, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të seancës, përkatësisht në përputhje me nenin 25, paragrafi 3 i Ligjit për Prokurorinë Publike, ushtruesi i detyrës së prokurorit publik duhet të përcaktohet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Personi që do të përcaktohet do ta kryejë funksionin deri në zgjedhjen e një prokurori të ri publik shtetëror, por jo më gjatë se gjashtë muaj.

“Nëse prokurorit publik të prokurorisë publike i ka mbaruar mandati, funksioni i tij/saj ka pushuar ose është shkarkuar, Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vendim të miratuar me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit, emëron një prokuror publik nga radhët e prokurorëve publikë në atë prokurori publike, i cili do ta ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e prokurorit publik në atë prokurori publike dhe i cili i plotëson kushtet për prokuror publik të asaj prokurorie, por jo më gjatë se gjashtë muaj”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 25 të Ligjit për Prokurorinë Publike.

Kjo Prokurori Publike, më e larta në hierarki, ka 10 anëtarë – Anita Topolova-Isajllovska, Ismail Darlishta, Sonja Simovska, Ferat Elezi, Xhelal Bajrami, Elvin Veli, Lile Stefanova, Naum Panoski, Valentina Stojanovska dhe Zllatko Bikovski.

Parlamenti ende nuk ka filluar procedurën për zgjedhjen e një Prokurori të ri Publik , në të cilën hapi i parë është publikimi i një shpallje në të cilin mund të aplikojnë kandidatët e interesuar që plotësojnë kërkesat për të drejtuar organin e vetëm në vend kompetent për ndjekjen penale të autorëve të krimeve.

Prokurori paraprak, Ljupço Kocevski, njoftoi në një konferencë për shtyp të martën se kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga pozicioni i tij.

Kocevski e shpalli vendimin përpara seancës parlamentare që duhej të shqyrtonte propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

Në Parlament nuk pati asnjë debat, sepse, siç informoi kreu i Parlamentit në fillim të seancës, shqyrtimi i kësaj pike bëhet i pakuptimtë, duke marrë parasysh dorëheqjen e Kocevskit. Në këtë drejtim, ai vetëm vuri në dukje dorëheqjen e Kocevskit.

Kocevski, në një deklaratë për mediat në Prokurorinë Publike, tha se po largohet nga detyra me kokën lart, por edhe me zhgënjim për shkak të, siç deklaroi ai, mungesës së dukshme të respektit për parimet mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit.

Ai deklaroi se shkarkimi i tij nuk u kërkua sepse kishte kryer një shkelje të rëndë disiplinore, por sepse kishte deklaruar publikisht se Prokuroria po punonte në kushte të vështira, pa staf dhe burime të mjaftueshme. Dhe, siç theksoi Kocevski, kjo ndodhi për shkak të fondeve të pamjaftueshme që Prokuroria Publike merr nga buxheti i shtetit, të cilat vendosen nga Qeveria.

Në këtë kontekst, ai përmendi raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE), në të cilin kritika më e madhe, siç tha ai, ishte presioni politik mbi gjyqësorin, i cili paralizon luftën kundër korrupsionit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close