
Një dokument i cilësuar si “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është një nga provat e përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përmes së cilës pretendohet se synohej zgjerimi i ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe destabilizimi i vendit.
Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin, i cili në prapavijë mbante shënimin “CONFIDENTIAL”. Prokuroria pretendon se dokumenti paraqet një plan politik dhe strategjik të fshehtë, ku përfshihen edhe figura me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.
Në bazë të përmbajtjes së dokumentit, sipas Prokurorisë, plani synonte krijimin e një atmosfere në të cilën Kosova do të perceptohej si shtet i radikalizuar dhe ekstremist, duke dëmtuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe duke ndikuar në qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj saj.
Dokumenti, sipas aktakuzës, përshkruan një strategji afatgjatë që përfshin financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e shkollave fetare dhe angazhimin e rrjeteve të personave nga Kosova dhe rajoni. Në të pretendohet gjithashtu se do të synohej përfshirja e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë, si dhe krijimi i ndikimit në komunitetet shqiptare jashtë Kosovës.
Një nga pretendimet më të rënda të përshkruara në dokument është krijimi i një atmosfere që do të nxiste largimin e të rinjve nga Kosova dhe, paralelisht, forcimin e identifikimit të një pjese të shoqërisë me fenë islame. Në dokument përdoret edhe një parashikim ekstrem se, pas 20 vjetësh, Kosova do të dukej “si Kandahar”.
Sipas Prokurorisë, qëllimi përfundimtar i këtij skenari do të ishte krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se Kosova është një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, çka sipas pretendimeve të aktakuzës, do të mund të ndikonte në ndryshimin e qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe në kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.
Në aktakuzë thuhet se dokumenti është gjetur në telefonin e sekuestruar nga Sheholli. Raporti informues i Policisë së Kosovës, i datës 31 mars 2026, përmendet si Prova 17. Sipas këtij raporti, gjatë analizimit të 20 mijë e 914 fotografive dhe imazheve të ruajtura, është identifikuar edhe fotografia me mbishkrimin “Top sekret 2” dhe tekstin në gjuhën serbe.
Prokuroria pretendon se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, është relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.
Dokumenti i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit- Fotografi e ndarë nga aktakuza e Prokurorisë Speciale
Më poshtë është përkthyer edhe përmbajtja e fotografisë:
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive . Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen. Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral Jankovic, Kaçanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptarë kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë për ne dhe të aktivizohen në Islam.
Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim në Sport, media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.
Në vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë. Me këtë do teë arrijmë që t`i ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shtetit kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe më të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën.
Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.
Kur kjo të arrihet Serbia do t`i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptarëve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.
Çështje e radikalizmit nuk përmendet vetëm të aktakuzën për Shehollin.
Më 14.08.2026, publikoi artikullin për dy të arrestuarit e tjerë për veprimtari të dyshimta të spiunazhit, Hysri Selimin dhe Fehim Sali.
Brenda një viti, Prokuroria Speciale ka arritur t’i arrestojë dy persona për veprimtari të spiunazhit tek BIA serbe.
Hysri Selimi ishte arrestuar më 06.05.2025 kurse më 13.08.2026 u arrestua edhe Fehim Sali.
Sali dyshohet se kishte mbledhur informacione për personat që i takojnë sektit ‘Vehabi’ dhe kishte dhënë rekomandime për rekrutim të këtyre personave te BIA serbe, kurse Selimi akuzohej se kishte mbledhur numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerve në Kosovë nga luftërat në Siri.
Kujtojmë që Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vite burgim nga shkalla e parë për veprën penale të spiunazhit.
Çka thotë dosja paraburgimit e Prokurorisë për Salin?
Fehmi Sali ra në duart e Prokurorisë Speciale nën dyshimin se ka kryer spiunazh për BIA-n serbe.
Sali sipas dosjes kishte fotografuar e kishte përcjellë zyrtarë të AKI-së për të informuar shërbimin sekret serb.
Informacione për situatën politike në Kosovë dhe informacione për personat që i përkasin sektit Vehabi ju kishin dhënë në dorë zyrtarëve të BIA-s serbe.
Identifikimi i personave që i përkasin sektit Vehabi ishin propozuar për rekrutim të mundshëm te BIA serbe, thuhet në dosjen e PSRK-së.
Këto veprime Sali i kishte kryer pas direktivave dhe udhëzimeve të një zyrtari të lartë të shërbimit sekret serb, thotë prokuroria.
Tutje, në dosje theksohet se 40 mijë eurot që i janë gjetur dhe sekuestruar Salit, janë si rezultat i veprimtarisë së spiunazhit që i pandehuri kishte kryer për shërbim të BIA-s serbe.
Në dosje të prokurorisë thuhet se i pandehuri i ka përshkruar në mënyrë të detajuar veprimet e tij inkriminuese dhe takimet që i kishte pasur me zyrtarë të BIA-s serbe.
Në dosje të Prokurorisë Speciale shkruan se Sali ka dy shtetësi, të Kosovës dhe të Serbisë, dhe se i njëjti me profesion është mësimdhënës.
Sali ka dalë më 14.08.2026 para Gjykatës Themelore në Prishtinë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit. Ndërsa kjo gjykatë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj të dyshuarit ku përshkruhen veprimet e të pandehurit.
Çka thoshte aktakuza e prokurorisë për Hysri Selimin?
Hysri Selimi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishte grumbulluar dhe ofruar informacione BIA-s serbe, rreth radikalizmit fetar në Kosovë, për krerët e UÇK-së, numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerve në Kosovë nga luftërat në Siri, për shuma të ndryshme të parave.
Këto informacione, sipas Prokurorisë, Selimi i kishte bërë nën direktivën e agjentëve serbë, të cilët edhe e kishin rekrutuar që të punonte për ta. Sipas aktakuzës Hysri Selimi nga muaji nëntor i viti 2009 e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025 ka qenë i rekrutuar nga BIA serbe për ta ndihmuar këtë shërbim sekret.
Sipas aktakuzës, Selimi me punën e tij e ka ndihmuar BIA-n në mbledhjen e informacioneve dhe dërgimin e tyre te kjo strukturë në lidhje me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjeve gjatë luftës, personat e radikalizuar si dhe numrin e pjesëmarrësve në luftën në Siri.
Për këtë punë, sipas PSRK-së, ai ishte pajisur me tre telefona të mençur dhe me mjete financiare, madje i ishte premtuar blerja e një shtëpie. Puna e Selimit sipas aktakuzës nuk kishte përfunduar vetëm me grumbullimin e informacioneve por kishte shkuar deri në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS me mision të BIA-s serbe.
Puna e Selimit për BIA-n, në ISIS, do të ishte të mbledhë statistikisht numrin e personave shqiptarë që ishin në këtë organizatë terroriste dhe ku operonin ata në Siri. Veprimtarinë e spiunazhit, sipas PSRK, Selimi do ta vazhdonte edhe pas kthimit të tij nga Siria, ku edhe ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.
Sipas aktakuzës, pas kthimit nga Siria, takimet e tij do të vazhdonin me zyrtarë të drejtorisë së terrorizmit në kuadër të BIA-s, takime që do të mbaheshin në pjesë të ndryshme të territorit të Serbisë, për të dhënë informacione për personat e radikalizuar dhe përhapjen e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre dhe numrin dhe funksionimin e “mesxhideve” në Kosovë.
Krejt këtë punë Selimi do ta bënte sipas prokurorisë për një shumë të hollave mujore prej 700 euro. Për të ardhë në konstatim se Selimi po takohej me agjentë të BIA-s serbe, PSRK kishte marrë konfirmime nga Agjencia Inteligjente e Kosovës (AKI) se personi me të cilin takohej Selimi është shef për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s. Për ta mbështetur akuzën për spiunazh, PSRK ka paraqitur si provë edhe raportin informues për hyrje-daljet e Selimit nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.
Shkuarjen për në Serbi Selimi sipas prokurorisë e bënte me autobus i paraqitur si udhëtar por kthimi i tij në Kosovë do të bëhej herë në këmbë duke u futur ilegalisht në territor, herë me autobus, herë me vetura që i vozisnin persona të ndryshëm. Shkuarja në Serbi dhe kthimi në Kosovë bëhej brenda ditës. PSRK, tutje i ka bashkëngjitur aktakuzës edhe një provë e cila ishte siguruar nga masat e fshehta ku shihej teksa takohej Selimi me zyrtarë të BIA-s.
Selimi duke mos qenë në dijeni se po vëzhgohej në secilën minutë nga autoritetet kosovare do ta bënte rrugën e tij nga banesa ku banonte deri në pikën kufitare të Dheu i Bardhë. Pasi ishte arrestuar dhe i ishin sekuestruar gjësende të ndryshme, ndër to ishin marrë edhe telefonat që i përdorte Selimi. “A keni dëgjuar për këtë lajm”, “A është e mundshme të kem ndonjë problem”,” Pavarësisht unë udhëtoj si njeri i lirë”- janë disa prej citateve që i ka përshkruar PSRK në aktakuzë, prova që e dokumentojnë komunikimin e tij me zyrtarë të BIA-s serbe, “Jo bre çfarë lidhje ki ti, shihemi nesër rreth orës 8:30”- është përgjigja e marrë nga zyrtarët e BIA-s.
Kur i ishte ekzaminuar njëri prej telefonave që i shin sekuestruar, ishin nxjerrë fotografi nga më të ndryshmet siç ishin pamje gjatë sekuestrimit të armatimit në Banjskë, video ku dokumentohen personat që falin namazin e xhumasë në një nga xhamitë në Prishtinë, fotografi të personave që ka pretenduar se janë me pozita të larta në Gjykatën Speciale.
Tutje, kësaj aktakuze i është bashkangjitur si provë edhe një komunikim i zhvilluar në mes të Selimit dhe personave nga BIA, që si detyrë ka sigurimin e informacioneve në lidhje me personat që frekuentojnë xhamitë, imamët, familjarët e tyre që kanë qenë në Siri. Sipas aktakuzës, Selimi i kishte ofruar informacione zyrtarëve të BIA-s, emrat e personave që ishin arrestuar për rastin e vrasjes së rreshterit, Muhamet Lika. Sipas prokurorisë, të gjitha këto dokumentime me prova janë pranuar nga i pandehuri gjatë intervistimit të tij në prokurori.
Në aktakuzë thuhet se Selimi kishte pranuar në tërësi pretendimet e prokurorisë lidhur me veprën penale të spiunazhit duke shtuar se këtë veprimtari e ka bërë për shkaqe financiare dhe nuk ka pasë qëllim që të dëmtojë interesin e vendit. Selimi në Prokurori kishte deklaruar se në vitin 2009 kur ka filluar të jap informacione për BIA-n serbe ishte paguar nga 100 euro për informacionet që i kishte siguruar nga burimet e hapura për krerët e UÇK-së.




