LajmeMaqedoniTopLajm

Pagat e zyrtarëve në qiell, punëtorët në rrugë për paga më të larta!

Dimitar Kovaçevski është sinonimi i asaj që mrekullitë ekzistojnë. Sepse, një mrekulli e tillë kishte ndodhur edhe vetë me të, duke e surprizuar jeta të bëhet kryeministër. Por, nga koha që e ka marrë timonin e Qeverisë është përballur me probleme të shumta për të cilat i mungonin zgjidhjet, e duke menduar zgjidhje problemet i shtoheshin. Mbase, u krijua një situatë që sikurse të gjitha sindikatat kishin qenë në dritare duke pritur një kryeministër si Kovaçevski që pastaj të dalin në rrugë për të protestuar e kërkuar paga më të larta e të drejta për punëtorët. Prej kur Kovaçevski është kryeministër nuk ka mbet askush pa protestuar, nëse flasim për qytetarët që mbijetojnë në tokë, sepse ata që jetojnë nën tokë po tregohen më korrekt me këtë kryeministër spontan. Të fundit që kanë protestuar para Qeverisë janë pacientët me fibrozë cistike. Por, në realitet kush mbeti pa protestuar prej kur Kovaçevski është kryeministër, përgjigja më korrekte do të ishte gjithkush po proteston, por protestat më të dhimbshme janë ato në heshtje pa zhurmë përmes largimit nga vendi. Dhe, tani kur shohim rritjen e pagave për zyrtarë prej 78%, kuptojmë që klasa punëtore janë të pa vlerësuar në këtë vend. E këtë gjë e kanë mirëpritur shumë politikanë, duke thënë që paga duhet të jetë burimi i vetëm i pasurisë për politikanët, deklaratë sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk shohin se si pasurohen këta politikanë, shkruan Zhurnal.

Kujtojmë protestat gjatë qeverisjes Kovaçevski, si dhe rritjen e pagave për zyrtarë mbi 2 mijë euro–

Ajo me të cilën karakterizohej 100 ditshi qeverisjes së Kovaçevskit është fakti që vendi ishte vërshuar nga një sërë protestash të organizuara pothuajse nga të gjitha sindikatat në vend.

Viti 2022 filloi me marsh protestues për drejtësi ku familjarët e të ndjerit Rexhail Qerimi marshuan rrugëve të Shkupit bashkë me shumë qytetarë duke kërkuar zbardhjen e rastit të montuar “Allfa”. Rast në të cilin ishte i dënuar, Rexhail Qerimi, ish ushtar i UÇK-së padrejtësisht me burgim të përjetshëm, i cili në burgun e Idrizovës ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi.

Me protestë para objekteve të njësisë rajonale të Fondit për sigurim shëndetësor (FSSh), mjekët amë nga Velesi kanë shprehur pakënaqësi për gjendjen në kujdesin primar privat shëndetësor. Atyre iu kanë bashkuar edhe dentistët. Ata kanë thënë se në shenjë revolte protestuan të gjithë mjekët privatë në vend, duke mos pranuar pacientë për shfrytëzim të “Termini im”, por vetëm raste urgjente. Ata kërkojnë ndryshimin e vlerës së kapitalit për pacient të paguar nga Fondi.

Në Tetovë qytetarët kanë protestuar kundër hapjes së kazinosë së re e cila po ndërtohet shumë afër çerdhes “Rinia”, në vendndodhjen e ish fabrikës së “Teteksit” dhe e njëjta pritet të jetë me përmasa të mëdha. Nga lëvizja Antibixhoz kanë kërkuar që autoritetet të harmonizojnë qëndrimet dhe të sjellin ligj që do mbrojë qytetarin.

Me sloganin “Varfëria ka fytyrë gruaje”, në Shkup është mbajtur marshi i gjashtë për të drejtat e grave me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit. “Gratë edhe më tej nuk janë as afër përfshirjes së barabartë në krijimin e politikave dhe masave, si dhe në marrjen e vendimeve që do t’i marrin parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve. Aty ku nuk ka kuota, si pushteti ekzekutiv dhe ai lokal, vendimet merren kryesisht nga burrat – vetëm katër gra, kundrejt 17 burrave në qeveri, dy kryetare komunash, kundrejt 79 kryetarëve në pushtetin lokal. Ndryshime duhet të ketë”, kanë thënë organizatorët.

Të punësuarit në administratën shtetërore dhe gjykata kanë protestuar duke mos punuar nga ora 10 deri në 12, kanë njoftuar nga Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (SPOGJSH). Ata kanë kërkuar pagesën e pagës minimale dhe rritje lineare të pagave të të gjithë punëtorëve për 2.806 denarë.

Në Ditën Botërore të Shëndetësisë më 7 Prill, Shoqata e mjekëve privatë kanë organizuar protestë paqësore para Ministrisë së Shëndetësisë ku kanë paraqitur kërkesat e tyre. Ndër të tjera kanë kërkuar pikë kapitimi (kuotë financiare) prej 90 denarë, ndryshim të regjimit të barnave dhe vlefshmëri të rekomandimeve për terapi kronike, ndryshim të politikës penale, shëndetësisë elektronike, si dhe ndryshim të buxhetit për specialistët dhe laboratorët.

E gjithë administrata e Gjykatës Penale dhe Gjykatës Themelore Civile kanë protestuar për rritjen e pagave, organizuar nga Sindikata e punëtorëve administrativë, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (Sindikata e AOGJSH). Revolta është e madhe te të gjithë, pasi janë të pakënaqur me statusin material, të ardhurat mujore dhe të drejtat e tjera, niveli i të cilave është ngrirë prej vitesh.

Përveç administratës gjyqësore, në të njëjtën ditë kanë protestuar edhe punonjës të ministrive, komunave, administratave shtetërore, agjencive dhe fondeve.

Ajo që është pakënaqësia më e madhe e shprehur edhe përmes grevës është pakënaqësia e mësimdhënësve. Greva e Sindikatës për Arsim dhe Kulturë në Maqedoninë e Veriut pati filluar më 11 prill dhe ka zgjatur për tre javë duke bojkotuar të punësuarit në arsim dhe çerdhe, duke respektuar vendimin e SASHK që kërkonin rritjen e pagave, konkretisht harmonizimin me pagat minimale.

Rritja e pagave për zyrtarë për 78% është absurde përderisa rritja e pagave në sektorët tjerë nuk e ka kaluar 15 përqindëshin asnjëherë –

Rritja e pagave me një sasi enorme vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave. “Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski.

Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro.

Related Articles

Back to top button
Close
Close