LajmeRajon

Osmani, rekrutëve të rinj të FSK-së: Sikurse UÇK-ja, ju bartni mbi supet idenë e mbrojtjes së lirisë

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj të FSK-së.

Osmani aty tha se këta rekrutë dhe e gjithë FSK-ja, bartë në vete idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Sikurse dikur, djemtë e vajzat e UCK-së që bartën mbi supe idealet e lirisë sonë, sot ju mbi supet tuaja mbani idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”.

“Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem me të cilët Forca jonë po e rrit numrin e saj në mbi 3 mijë”.

Sipas saj, FSK ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta, andaj ajo tha se inkurajon gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

“FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta andaj inkurajojë vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje”.

“Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë janë të gatshëm që kurdo Republikës sonë t’i bëhen mbrojtës”.

Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe agresionin rus në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë se do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe ta cenojnë të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë”.

“Ne, e kemi provuar të njëjtën gjë më parë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë, në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e besueshme e aleatëve tanë në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Kosovën”, është shprehur Osmani.

Related Articles

Back to top button
Close
Close