LajmeMaqedoniTopLajm

Osmani i përgjigjet VLEN-it: Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues, bashkëqeverisja është zgjedhje politike

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj akuzave të zyrtarëve të koalicionit VLEN, të cilët e kritikuan për takimin zyrtar që kishte zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë kohës sa drejtonte diplomacinë e Maqedonisë së Veriut. Osmani thotë se VLEN po përpiqet t’i paraqesë takimet zyrtare diplomatike si përcaktime politike, ndërsa, sipas tij, po e relativizon bashkëqeverisjen e vet me partnerë që mohojnë pavarësinë e Kosovës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Në reagimin e tij, Osmani shprehet se VLEN ndodhet në një situatë të vështirë politike, duke pretenduar se po përdor standarde të dyfishta për të sulmuar kundërshtarët.

“Sot duhet të jenë vërtet të dëshpëruar në VLEN, nëse kanë arritur deri aty sa takimet zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme t’i paraqesin si përcaktime politike, ndërsa bashkëqeverisjen e përditshme me mohues të pavarësisë së Kosovës, mohues të gjenocidit në Srebrenicë dhe relativizues të Marrëveshjes së Ohrit ta paraqesin si normalitet”, shkruan Osmani.

Për të ilustruar qëndrimin e tij, ai sjell shembuj nga politika ndërkombëtare, duke theksuar se takimet me liderë të vendeve me të cilat ekzistojnë mosmarrëveshje janë pjesë normale e diplomacisë.

“Me këtë logjikë, do të duhej të akuzohej Albin Kurti pse takohet me Aleksandar Vuçiqin, Donald Trump pse takohet me Presidentin e Kinës, apo çdo ministër i Jashtëm në botë pse takohet me homologët e vendeve me të cilat ka mosmarrëveshje”, thekson ai. Sipas Osmanit, funksioni i diplomacisë nuk është të zhvillojë takime vetëm me palët me të cilat ekziston pajtim politik, por të mbrojë interesat shtetërore përmes dialogut.

“Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij”, deklaron ish-ministri.

Ai bën dallim mes detyrimeve institucionale të një ministri të Jashtëm dhe zgjedhjeve politike për krijimin e koalicioneve qeverisëse.

“Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues. Bashkëqeverisja është zgjedhje politike. Këto janë dy gjëra që VLEN ose nuk arrin t’i dallojë, ose po shtiret se nuk i dallon”, thuhet në reagim.
Osmani komenton edhe komunikatën e publikuar nga VLEN, duke theksuar se ajo është një komunikatë e Presidencës së Serbisë dhe pasqyron qëndrimet e Beogradit, e jo të institucioneve të Maqedonisë së Veriut.

“Komunikata që publikojnë është komunikatë e Presidencës së Serbisë, e cila shpreh qëndrimet dhe prioritetet e saj, jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është praktikë normale në çdo marrëdhënie diplomatike”, shkruan ai.

Në fund të reagimit, Osmani thekson se do të vazhdonte të takohej me çdo homolog në kuadër të detyrës së ministrit të Jashtëm, por se, sipas tij, nuk do të pranonte të bashkëqeveriste me forca politike që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve.

“Unë do të vazhdoja të takoja çdo homolog, edhe nëse nuk pajtohem me të, sepse kjo është detyra e një Ministri të Jashtëm. Por kurrë nuk do të zgjidhja të bashkëqeverisja me ata që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve. Ky është dallimi mes diplomacisë dhe nënshtrimit politik. Dhe pikërisht këtë dallim VLEN po përpiqet ta fshehë”, përfundon reagimi i Osmanit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close