LajmeRajonTopLajm

O’Brien: Na është premtuar që Radoiçiq do të përballet me ligjin në Serbi

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Serbia ka premtuar se Milan Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës, që vranë një zyrtar policor. Gjatë këmbimit të zjarrit më 24 shtator 2023, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Zyrtari amerikan gjatë forumit të Dubrovnikut tha se pret që Serbia të mbajë premtimin.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator (në Banjskë) duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.

Duke folur për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, O’Brien tha se në dy shtetet duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.

“Mendoj se po ashtu duhet të jemi të qartë se përdorimi i forcës për të arritur te zgjidhja duhet të përjashtohet. Kjo përfshin pjesët më të ndjeshme të Bosnje e Hercegovinës dhe në veri të Kosovës dhe mendoj se këtu aktorët relevantë shtetërorë kanë ndërmarrë qëndrime të forta se nuk mbështesin përdorimin e forcës në këto zona. Por, ne na duhet ta largojmë diskutimin për dhunën, dhunës shtetërore. Kjo do të na mundësonte që të përdorim mjetet që kemi në një mënyrë që ne mendojmë se do të ishte produktive”, tha O’Brien.

Gjatë forumit të Dubrovnikut, ku Kosova u përfaqësua nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u përmend edhe një deklaratë e bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka deklaruar se udhëheqësi i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka treguar se është lider i mirë, strategjik dhe ka “qëlluar kur duhet”, për mënyrën se si ka arritur të marrë kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Por, O’Brien tha se ky është interpretim i gabuar nga Vuçiq, pasi Aliyev, ka shprehur qëllimin që të marrë territore që janë ndërkombëtarisht të njohura si pjesë të Azerbajxhanit.

“Duhet të jemi të qartë: Jo lëvizje në Bosnje, jo lëvizje në veri të Kosovë”, tha O’Brien./rel

Related Articles

Back to top button
Close
Close