BotaLajme

“Nëse doni paqe, luftë do të keni”, Rusia kërcënon BE në rast sanksionesh

Rusia është e vendosur të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Europian, nëse unioni këmbëngul të vazhdojë me sanksionet për shkak të burgosjes së disidentit rus, Aleksei Navalni.

Diplomati i lartë rus, Sergej Lavrov, në një prononcim për mediat, është shprehur se me sjellje të tilla, BE tregon se unioni dëshiron të shkëpusë marrëdhëniet me Rusinë.

“Nëse shohim edhe një herë, ashtu si në raste të tjera, që sanksionet po vendosen në sektorë të caktuar dhe krijojnë rreziqe për ekonominë tonë, atëherë po. Ne nuk duam të jemi të izoluar nga jeta ndërkombëtare, por duhet të jemi të përgatitur për këtë”, tha Lavrov, i cili më pas shtoi: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

Me ndryshimin e udhëheqjes në Shtëpinë e Bardhë, ka pasur një ringjallje të tensioneve midis Moskës dhe komunitetit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA.

Ajo që prishi ekuilibrat, ishte çështja “Navalni”, me helmimin, pastaj kthimin në shtëpi të disidentit të mjekuar në një spital gjerman dhe më në fund arrestimi, i cili bëri që qindra demonstrues të protestonin në qytete të ndryshme të vendit.

Kundër-veprimi rus, me arrestimin e demonstruesve dhe dëbimin e diplomatëve të BE-së që morën pjesë në protesta, shkaktoi një përshkallëzim të fortë të situatës midis Moskës, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Të enjten, 11 shkurt, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, u përgjigj nga Twitter për dëbimet e diplomatëve europianë.

“BE nuk frikësohet nga provokimet. Në mbrojtjen e interesave tona, ne do të punojmë me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë për të koordinuar një përgjigje të fortë kundër veprimeve përçarëse dhe dezinformimit “.

Një ditë më parë, më 10 shkurt, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden kishte urdhëruar vendosjen e bombarduesve B-1 dhe rreth 200 trupa në Norvegji, si një shfaqje të forcës ndaj Moskës.

Një mesazh i qartë për Kremlinin, se SHBA-të do të veprojë në rajonin strategjik të Arktikut dhe do të mbrojnë aleatët e saj në zonë kundër çdo agresioni.

Një mesazh i qartë, të cilit Lavrov i përgjigjet sot, 12 shkurt, duke nënvizuar se Rusia nuk është e gatshme për ndërhyrje të huaj dhe se, për të ruajtur paqen, është e gatshme për luftë. /e.a/noa.al/

Related Articles

Back to top button
Close
Close