LajmeMaqedoniTopLajm

Nëntë kamionë të ri për Dibrën dhe Qendër Zhupën

Sipas kryetarit Mela, pajisja e Komunës së Dibrës me pesë kamionë të rinj do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet operacionale të shërbimeve komunale dhe do t’i ndihmojë drejtpërdrejt Ndërmarrjes Komunale “Standardi”, e cila deri më tani ka funksionuar vetëm me një kamion për grumbullimin e mbeturinave

Vjollca SADIKU

Dibër, 8 janar – Në kuadër të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili synon ngritjen e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit jetësor, Komuna e Dibrës do të pajiset me pesë kamionë të rinj për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa Komuna rurale e Qendër Zhupë do të pajiset me katër kamionë. Këto mjete do të përdoren nga ndërmarrjet komunale “Standardi” në Dibër dhe “Kale” në Qendër Zhupë.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit promovues të projektit, i organizuar në Manastir, ku morën pjesë përfaqësues qeveritarë dhe drejtues të pushtetit lokal. Sipas projektit, mbeturinat nga të dy komunat në të ardhmen do të grumbullohen në deponi transferuese, nga ku do të transportohen në deponinë rajonale në Novaci, në afërsi të Manastirit. Në promovimin e pajisjeve të reja për menaxhimin e mbeturinave të ngurta mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili e vlerësoi projektin si jashtëzakonisht të rëndësishëm për përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas kryetarit Mela, pajisja e Komunës së Dibrës me pesë kamionë të rinj do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet operacionale të shërbimeve komunale dhe do t’i ndihmojë drejtpërdrejt Ndërmarrjes Komunale “Standardi”, e cila deri më tani ka funksionuar vetëm me një kamion për grumbullimin e mbeturinave.

“Me realizimin e këtij projekti pritet rritje e mbulueshmërisë së shërbimit, ulje e deponive të egra dhe përmirësim i përgjithshëm i pastërtisë në zonat urbane dhe rurale të komunës. Sistemi i deponive rajonale garanton një menaxhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të mbeturinave”, theksoi Mela. Në Manastir, gjatë promovimit të projektit, mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës i përfaqësuesit qeveritar për Komunën e Qendër Zhupës, Arjan Ibraim, i cili potencoi se kjo komunë do të pajiset me katër kamionë të rinj për grumbullimin e mbeturinave. Ai nënvizoi se Qendër Zhupa ka pasur për një kohë të gjatë probleme serioze me menaxhimin e mbeturinave, të cilat kanë ndikuar negativisht në ndotjen e ujërave të Liqenit të Dibrës dhe tokave pjellore të kësaj zone.

Projekti Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave synon zgjerimin e shërbimeve komunale, sanimin e deponive të egra dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm rajonal për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave, duke përmirësuar ndjeshëm mbrojtjen e mjedisit jetësor në rajon.(koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close