
Ukraina ka lavdëruar guximin e tre liderëve evropianë, të cilët bënë një udhëtim të gjatë dhe të rrezikshëm me tren nga Polonia për në Kiev në shenjë mbështetjeje pasi qyteti u vu nën sulmin e mëtejshëm rus.
Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke u takuan të martën në mbrëmje me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, ndërsa filloi një shtetrrethim në Kiev.
Më pas, udhëheqësi çek u tha ukrainasve se ata “nuk janë vetëm”.
Këta të tre u bënë udhëheqësit e parë perëndimorë që vizitojnë Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë.
“Ne e admirojmë luftën tuaj të guximshme”, shkroi Petr Fiala në një postim në Tëitter. “Ne e dimë se ju po luftoni edhe për jetën tonë. Ju nuk jeni vetëm, vendet tona qëndrojnë pranë jush.”
Mateusz Morawiecki i Polonisë tha se Evropa nuk do të ishte kurrë më e njëjta nëse do të humbiste Ukrainën. Në vend të kësaj, shkroi ai, do të ishte një “version i mundur, i poshtëruar dhe patetik i vetvetes së saj të mëparshme”.
“Vizita juaj është një shprehje e fuqishme e mbështetjes për Ukrainën,” citohet t’i ketë thënë grupit Presidenti i vendit.
Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal shkroi në Tëitter se sanksionet “shkatërruese” kundër Rusisë ishin diskutuar, duke përfshirë “njohjen e Rusisë si sponsor i terrorizmit”.
Shpërthime janë dëgjuar gjatë takimit
Ndërsa bisedimet u zhvilluan, shpërthime të forta u dëgjuan në të gjithë Kievin nga luftimet në skajin perëndimor të kryeqytetit.
Bashkimi Evropian tha se politikanët nuk kishin ndonjë mandat të veçantë, por se liderët në Bruksel ishin në dijeni të udhëtimit, siç u përmend gjatë një samiti jozyrtar të BE-së në Versajë, Francë, javën e kaluar.
Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Marcin Przydacz, pranoi se udhëtimi ishte i rrezikshëm, por tha se “ia vlen të ndërmerret për hir të vlerave”. Ai tha se ata u kishin thënë rusëve për vizitën që po bënin.
Tri liderët vendosën të udhëtonin me tren sepse fluturimi me avion ushtarak polak mund të ishte parë nga Rusia si një provokim i rrezikshëm, raportoi redaktori i BBC Europe, Katya Adler. Nuk qe e qartë se kur treni i tyre do të kthehej me ta për në Varshavë.
Presidenti i Ukrainës i ka kërkuar vazhdimisht NATO-s që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi hapësirën ajrore të vendit të tij, por NATO e ka refuzuar.
Zelensky tha se ukrainasit tani e kuptojnë se nuk mund të bashkohen me NATO-n. “Ne kemi dëgjuar prej vitesh që dyert ishin të hapura, por dëgjuam gjithashtu se nuk mund të bashkoheshim. Është një e vërtetë dhe duhet pranuar. Më vjen mirë që njerëzit tanë kanë filluar ta kuptojnë këtë dhe të mbështeten tek vetja dhe partnerët tanë të cilët po na ndihmojnë”





