
Shoqata e sapoformuar vullnetare zjarrfikëse “Pollog” për rajonin e Tetovës dhe vendbanimet përreth dhe komunat rurale, do t’i ndihmojë Njësisë territoriale zjarrfikëse – Tetovë kur të ketë nevojë për më shumë njerëz për ndërhyrje. Kjo u kumtua nga Komuna e Tetovës dhe NJZT Tetovë në shënimin e Ditës së zjarrfikësve në sheshin e qytetit në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se si do të përmirësohen kapacitetet e këtij shërbimi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, potencoi rëndësinë që shërbimi zjarrfikës ka mbështetje nga donatorë të huaj.
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për njësi zjarrfikëse, e cila mbulon edhe komunat përreth, ne po punojmë fuqishëm që kjo njësi zjarrfikëse të jetë një ndër më të përgatiturit në nivel shtetëror, si me zjarrfikës shpëtimtarë, ashtu edhe në pjesën e pajisimit të tyre. Njësia zjarrfikëse sot janë shumë më e përgatitur se që ishte dje, por angazhimi jonë është që nesër të jemi edhe më të përgatitur. Prandaj, më lejoni të shpreh një falënderim të madh për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar që kjo njësi të jetë në nivelin që është sot, veçanërisht për partnerët tanë nga Austria dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët janë mbështetës të përhershëm të zjarrfikësve tanë”, theksoi Kasami.



