
Deri te Komisioni Komunal Zgjedhor – Qendër Zhupë, për herë të dytë për zgjedhjet e ardhshme për kryetar komune, pak orë para skadimit të afatit, janë paraqitur 29 kërkesa për realizim të të drejtës së votës të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm.
“Kërkesa me dokumentacion kanë parashtruar 29 familjarë të afërt të personave. Meqenëse afati përfundon sonte në mesnatë është e mundur që të marrim edhe ndonjë kërkesë tjetër. Të njëjtat më pas do t’i shqyrtojmë dhe do të marrim vendim sa prej tyre do të mund të votojnë të premten, gjegjësisht më 19 gusht”, deklaruan për MIA-n nga komisioni.
Në zgjedhjet e përsëritura të 17 prillit janë parashtruar 61 kërkesa, pozitivisht janë përgjigjur në 57, ndërsa të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 52 persona, ndërsa pesë të tjerët nuk e kanë bërë këtë për arsye të ndryshme, ndërkohë ka pasur vdekje, trajtim spitalor apo dokumente të pavlefshme për identifikim.
Në zgjedhjet e rregullta lokale, ndërkaq, më 17 tetor të vitit të kaluar, për votim në shtëpitë e tyre janë paraqitur 18 persona, ndërsa kanë votuar 17 persona.
Në listën e vetme zgjedhore për Komunën e Qendër Zhupës, ku më datën 20 të këtij muaji (e shtunë) do të votohet në 16 vendvotime në listën e vetme zgjedhore janë regjistruar 7.154 persona me të drejtë vote.
Krahasuar me zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 15 prill në listë janë 77 votues më shumë, derisa krahasuar me zgjedhjet e rregullta lokale të 17 tetorit të vitit të kaluar ka 163 votues më pak.
Në garën për kryetar komune këtë herë do të jetë një kandidat, Arijan Ibrahim, nga Partia Demokratike Turke, i cili e kërkon besimin për herë të tretë.



