LajmeMaqedoniTopLajm

Në prag të mbledhjes së Këshillit të BE-së, komisioni i përbashkët maqedono – bullgar do të tentojë edhe një herë të zgjidh çështjet e hapura

Pas takimit dy ditor të dështuar rreth dy muaj më parë, Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështjet e historisë, sot po zhvillon sërish takim, për përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth çështjeve të hapura mes dy vendeve, që kanë shkaktuar bllokadë të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në orën 16:00, është paralajmëruar të mbahet konferencë e përbashkët për media online. 

Ndërkohë, gazeta bullgare “24 orë”, ka publikuar sot duke u thirrur në burime diplomatike se, Danimarka dhe Holanda janë dy vendet që i janë bashkangjitur vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut.

Më tej, burimi i kësaj gazete thotë se madje edhe të mos ketë çështje kontestuese për Maqedoninë, ka mosmiratim të madh për kornizën negociuese për Shqipërinë.

Prej kur Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, gjatë kohës së mbledhjes në nivel të ambasadorëve në Bruksel, çështja do të hapet sërish në mbledhjen e 7 dhjetorit. Për ditën e ardhshme është caktuar Këshilli për Punë të Përgjithshme, në të cilin sërish do të diskutohet për procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut.

Dy ditë më parë, eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhejli, kërkoi nga Maqedonia e Veriut që të bëjë përpjekje për gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë. Në ndërkohë, po rrjedh komisioni të përbashkët për çështje të historisë, ndërsa Qeveria vazhdon me përpjekjet që të arrihet marrëveshje me Sofjen dhe të mundësohet fillim i negociatave me unionin.

Kujtojmë se, më 17 nëntor, në mbledhjen e këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Bullgaria vendosi veton e paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut sa i përket kornizës negociuese të vendit, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Komisioni i përbashkët për dy vite, pas arritjes së Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, kanë arritur përparim të caktuar për periudhën antike dhe mesjetën, por jo edhe rreth çështjes së Goce Dellçevit.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close