
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, M.K. në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me 17 të pandehurit e tjerë, të cilët sipas Prokurorisë ishin pjesëtarë të këtyre njësive, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.
“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
PSRK ka propozuar që gjykimi ndaj të akuzuarve të zhvillohet në mungesë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Gjykimi në mungesë po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në rastin e masakrës së Reçakut.
Të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavleviq, Zhivko Trajkoviq, Bogolub Janiceviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqillo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srbolub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq, dhe Zvonimir Janiçijeviq.
Të njëjtit po akuzohen se në periudhën 1998 – 1999, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës 243 të Mekanizuar, Armatës së III, e njohur si Korpusi i Prishtinës, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Meqenëse gjykimi zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, dhe interesat e të akuzuarëve do të përfaqësohen nga avokatët e tyre, Gjykata udhëzoi mbrojtësit e të akuzuarve që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Kujtojmë se seanca fillestare për këtë rast e paraparë të mbahej më 20 korrik 2026 kishte dështuar të mbahet.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 30.12.2025 ka ngritur aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 21 personave për veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se të pandehurit në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak komuna e Shtimes, me dashje në bashkëkryerje, individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës 243 të Mekanizuar, Armatës së III e quajtur Korpusi i Prishtinës dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e njohur si “MUP”, në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si “RDB”, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si “RJB” dhe njësitë rezervë kanë kryer vrasje, tortura dhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullsisë civile.
Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.
Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm.
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Çka ndodhi në Banjskë?
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Gjykimet për krimet e luftës
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.



