MaqedoniTopLajm

Në Kuvend tentohet të votohet pakoja e pestë ekonomike

LSDM dhe VMRO-DPMNE arrijnë marrëveshje që bashkë me BDI-në të debllokojnë seancën parlamentare që zvarritej për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa paralajmëron se do t’i bllokojë në komision pasi është tentuar të anashkalohet kushti i tyre për ligjin për shtetësi. Sipas marrëveshjes së sotme mes pushtetit dhe opozitës maqedonase, u thirr seanca e 36 dhe nga ajo u tërhoqën të gjitha pikat e tjera duke lënë në rend dite vetëm ligjet nga pakoja e pestë ekonomike. Ky propozim kaloi me 85 dhe 86 vota për asnjë kundër dhe asnjë përmbajtur duke miratuar kështu edhe rendin e ditës, ndërsa ligjet tani pritet që të thirren në komisionin për financa dhe buxhet dhe atë juridiko ligjvënës. Propozimin për tërheqjen e ligjeve të tjera e dha nga foltorja koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Nikolla Micevski

“Është e qartë se dialogu është frytdhënës dhe tani ndodhemi në seancën e 36. Të shqetësuar për 12 mijë kompani dhe të punësuarit që presin pagat për shkurt dhe mars dhe që të jemi në frymën e mirëkuptimit, kërkoj mbështetje për tërheqjen e propozim ligjeve të tjera”

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e vlerësoi pozivitisht faktin se punët zhvillohen brenda Kuvendit dhe kjo sipas tij dëshmon se kanë kapacitet që aty ku është vendi dhe përgjegjësia të kenë edhe komunikim institucional. Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, shprehi keqardhje që nga rendi i ditës u hoqën pika të rëndësishme, por megjithatë u shpreh I kënaqur që u debllokua pakoja e pestë ekonomike.

Tani që ligjet do të duhet të kalojnë në komisionin për financa dhe buxhet, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë përsëritur se nuk do të lejojnë që të anashkalohen qytetarët pa shtetësi dhe të të votohen ligje të tjera para zgjidhjes së këtij problemi. Koordinatori Skender Rexhepi Zejdi, konfirmoi se do të dorëzojnë 4 mijë amendamente ndaj këtyre ligjeve gjatë shqyrtimit në komision.

Related Articles

Back to top button
Close
Close