
Derisa në Haraçinë dhe Mateç nuk happen, kryeministri Hristijan Mickoski ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e një kopshti të ri për fëmijë në Kisella Vodë, ndërsa ka thënë se Qeveria do të investojë njëjtë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Të dashur fëmijë, kjo është më e rëndësishmja, sepse të gjitha këto projekte bëhen për më të rinjtë, për ata që kanë nevojë t’i kalojnë vitet e tyre të para në objekte si ky që do të jetë gati sipas afatit, brenda rreth dy vitesh. Por jam i bindur se do të përfundojë më herët. Vazhdojmë të investojmë në të gjithë territorin e Maqedonisë. Ajo që është e rëndësishme është se qytetarët të ndihen të rehatshëm, të rikthejmë shpresën dhe ç’është më e rëndësishme, të tregojmë se nuk do të punojmë më sipas parimeve të mëparshme, por me metoda inovative do ta zhvillojmë atdheun tonë, Maqedoninë. Kjo është ajo që ne si Qeveri kemi për qëllim të bëjmë”, ka thënë në Kisella Vodë, Mickoski, ndërsa ka përmendur se si Qeveri, do të vazhdohet që përmes projektit të decentralizimit, duke transferuar mjete buxhetore tek komunat, për të investuar në të gjithë territorin e Maqedonisë.
“Disa projekte tashmë janë nënshkruar këtu në Kisella Vodë në valën e parë dhe tani në shkurt do të ketë një valë të dytë projektesh që gjithashtu do të nënshkruhen. Mendoj se në këtë mënyrë po përmbyllim aktivitetin investues për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm 2025, tashmë kemi nisur të planifikojmë për vitin tjetër, vitin 2026. Duhet të them se jam i impresionuar nga përkushtimi i kryetarëve të komunave. I përshëndes të gjithë ata që me të vërtetë marrin pjesë në këtë projekt dhe i ftoj që edhe në të ardhmen të jenë pjesë e projekteve që do të financohen nga Qeveria”, ka shtuar Mickoski, i shoqëruar nga kryetari i komunës së Kisella Vodës, këshilltarët komunale dhe deputetë.


