
Njoftim dhe Urim i Sindikatës së UT me rastin e 31-vjetorit të Universitetit të Tetovës
Me rastin e shënimit të 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, Sindikata njofton opinionin dhe punonjësit se nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive përbën një arritje të rëndësishme institucionale dhe një dhuratë domethënëse për këtë ditë të veçantë për UT.
Kjo marrëveshje përfaqëson rezultat të dialogut të qëndrueshëm social dhe të angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punonjësve akademikë dhe administrativë. Ajo garanton përmirësim të kushteve të punës, forcim të sigurisë juridike dhe afirmim të dinjitetit të punës në Universitetin e Tetovës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive në këtë përvjetor të rëndësishëm simbolizon respektin institucional ndaj kontributit shumëvjeçar të punonjësve dhe vlerësimin e rolit të tyre kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës.
Sindikata e konsideron këtë akt si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit institucional, motivimit profesional dhe avancimit të mëtejshëm të standardeve akademike e sociale.
Me këtë rast, shprehim mirënjohje për të gjithë punonjësit dhe i urojmë Universitetit të Tetovës suksese të reja dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Një falenderim i veçantë edhe për kryetarin e Parlamentit z. Afrim Gashi i cili që nga takimi i parë ka pasur qëndrim pozitiv për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive dhe ka qenë konzistent gjithë kohës.
Me respekt!
Kryetari i Sindikatës
Prof. Dr. Shefket Dehari
Nënkryetari i Sindikatës
Ali Salihi



