
Ish kryetari i kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi përmes një reagimi në profilin e tij ka komentuar ndarjet e reja dhe fraksionet e reja për të cilat ditëve të fundit është raportuar në opinion. Taipi këto zhvillime i sheh si shqetësuese pasi sipas tij kjo pasqyrë tregon gjendjen e rëndë politike të shqiptarëve në këtë vend, shkruan Top24
“Në këtë situatë kemi ardhur si pasojë e mungesës së suksesit të partive politike shqiptare në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave themelore të popullit shqiptar (si përdorimi i plotë i gjuhës shqipe, përfaqësimi i drejtë institucional etj.). Dhe ky dështim lidhet drejtpërdrejt me hyrjen në politikë të individëve të painformuar ose të papërgatitur intelektualisht, të cilët shpesh udhëhiqen nga ambicie personale dhe jo nga interesa shoqërore.
Nëse kjo situatë vazhdon, lindja dhe shuarja e partive do të bëhet rutinë, por pa ndryshuar thelbin e problemit.” shkruan Nazim Taipi.
Taipi më tej shton se “Fragmentimi politik vetëm sa dobëson fuqinë përfaqësuese të shqiptarëve dhe zvogëlon peshën reale në vendimmarrje. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për më shumë përgjegjësi, vizion të qartë dhe unitet rreth interesave kombëtare dhe jo thjesht për parti të reja me emra të rinj.”, përcjellë Top24



