
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e vendit është rritur. Ai ka përmendur statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas të cilave ka pasur rritje të Bruto Produktit Vendor për 4.58% në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Murati më tej është shprehur se me këtë janë demantuar edhe pretendimet e opozitës.
“ASK dje [19.09.2025] ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill–qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024, e cila ishte 4.32%, lë të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes. Edhe kësaj radhe faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit,” – ka shkruar Murati më 20.09.2025.
Ndërsa për këtë, Muratit i ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Përmes një shkrimi të shkurtër, Bajrami ia ka përmendur ministrit në detyrë çështjen e inflacionit.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024. Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën” – ka shkruar Bajrami në Facebook më 20.09.2025.



