LajmeMaqedoniTopLajm

Mucunski në Bruksel në takime me përfaqësuesit e lartë të BE-së, Kallas dhe Rute

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski prej sot e deri të mërkurën do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel. Vizita përfshin takime kushtuar procesit eurointegrues të vendit, si dhe pjesëmarrje në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.

Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski, së bashku me ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, do të takohen me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Takimi po mbahet në kontekstin e përkushtimit të vazhdueshëm të vendit ndaj procesit të integrimit evropian dhe angazhimit të përbashkët për të avancuar partneritetin me Unionin, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.

Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rute, Mucunski të mërkurën do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet më 3 dhjetor këtë vit në selinë e Aleancës në Bruksel.

“Takimi ministror do të jetë mundësi për të shkëmbyer qëndrime për implementimin e vendimeve nga Samiti i NATO-s në Hagë, me fokus në të ardhmen e Aleancës, përforcimin e aftësive individuale dhe kolektive, si dhe sigurimin e mbrojtjes dhe sigurisë efektive. Temë e pritur do të jetë mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe përgjigjet e përbashkëta ndaj sfidave aktuale të sigurisë, duke përfshirë aktivitetet destabilizuese të aktorëve të dëmshëm dhe konkurrentëve strategjikë që kërcënojnë arkitekturën ekzistuese të sigurisë dhe rendin ndërkombëtar”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, është paraparë që ministri Mucunski të realizojë sërë takimesh dypalëshe.

Related Articles

Back to top button
Close
Close