
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur sot konkurs publik për pranimin e 200 nxënësve të rregullt që janë të interesuar të regjistrohen në Shkollën e Mesme Policore “7 Maji”, në kuadër të Akademisë Policore, përcjell TV21. Sipas njoftimit të MPB-së, të drejtë aplikimi kanë kandidatët që kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë të arsimit të mesëm. Nëse i plotësojnë kushtet e përcaktuara, ata do të mund ta vazhdojnë shkollimin në Shkollën e Mesme Policore.
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte të përgjithshme:
- të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- të mos kenë mbushur 18 vjeç në ditën e shpalljes së konkursit publik;
- të përdorin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase;
- të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikofizike.
Po ashtu, mesatarja e përgjithshme e suksesit në dy vitet e përfunduara të arsimit të mesëm duhet të jetë së paku “mirë”, ndërsa kandidatit nuk duhet t’i jenë shqiptuar masa pedagogjike në shkollën ku ka përfunduar vitin e parë dhe të dytë. Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, në varësi të nevojave të institucionit, do të ekzistojë mundësia që paralelisht të vazhdojë edhe modeli aktual i trajnimit bazë për policë, i cili zgjat një vit.



