
Jose Mourinho ka rrëfyer mbi eksperiencën e tij në Turqi dhe ka mohuar zërat për interesim të Fenerbahçes së tij karshi Neymar. Në një intervistë për kanalin brazilian “Sporty Net”, ish-trajneri i Interit, Chelsea, Portos, Manchester United, Tottenham, Romës dhe Real Madridit, ka treguar: “Jam përshtatur shumë mirë me Turqinë. Sezoni i kaluar ishte një periudhë mësimi e shpejtë, por tani e njoh më mirë mentalitetin dhe sistemin e futbollit turk. Këtë sezon jam shumë më i përgatitur”.
Emri i Neymar ishte përfolur për skuadrën e tij, por “Special One” e mohoi prerazi:
“Ka fituar shumë në Arabi…, nuk ia vlen as të mendosh për sa zero ka paga e tij”. Sipas portugezit, braziliani mund të vendosë vetë lirisht se ku dëshiron të luajë në këtë fazë të karrierës.
Mourinho foli edhe për kombëtaren braziliane dhe drejtimin e saj nga Carlo Ancelotti: “Seleção ka shumë mundësi në Botërorin e ardhshëm. Me Ancelotti në krye, brazilianët mund të zhvillojnë një projekt solid dhe konkurrues”.



