
Qeveria ruse i ka dërguar një notë diplomatike Shteteve të Bashkuara duke kërkuar ndërprerjen e ndjekjes së cisternës së naftës Bella 1, e cila po lëviz në Oqeanin Atlantik dhe është subjekt i sanksioneve amerikane për transport të naftës iraniane.
Sipas raportimeve të New York Times, mesazhi u dërgua në mbrëmjen e 31 dhjetorit dhe iu përcoll Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Ndjekja e cisternës ka nisur më 21 dhjetor, pasi ajo u largua nga Irani me destinacion Venezuelën për të ngarkuar naftë bruto.
Autoritetet amerikane pretendojnë se anija nuk mbante një flamur kombëtar në momentin kur u afrua nga Roja Bregdetare, duke e konsideruar “pa shtetësi” sipas së drejtës ndërkombëtare dhe për rrjedhojë të hapur ndaj inspektimit dhe sekuestrimit. Megjithatë, ekuipazhi i saj ka pikturuar një flamur rus mbi trupin e cisternës dhe ka njoftuar përmes radios se anija është nën juridiksionin rus.

Anija është regjistruar zyrtarisht në Regjistrin Detar të Federatës Ruse me emrin e ri Marinera, duke listuar portin e Soçit si bazë. Pavarësisht kësaj, administrata amerikane e konsideron ende cisternën “pa shtetësi”, duke pretenduar se ajo përdori një flamur të rremë gjatë kontaktit të parë me forcat amerikane.
Ndërkohë, Washingtoni ka vendosur sanksione ndaj katër kompanive të lidhura me sektorin e naftës venezueliane, si pjesë e fushatës për të kufizuar eksportet e naftës të cilat janë jetike për ekonominë e vendit. SHBA-të kanë sekuestruar tashmë dy cisterna në Karaibe dhe kanë paralajmëruar veprime të tjera.
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka urdhëruar eskortë detare për disa cisterna dhe ka shqyrtuar vendosjen e personelit ushtarak në bord, një hap që mund të rrisë rrezikun e përplasjes së armatosur në det.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat, teksa administrata Trump po përpiqet të avancojë përpjekjet për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që Moska ka riafirmuar mbështetjen e plotë për udhëheqësit dhe popullin e Venezuelës.



