
Organizata joqeveritare “Mollëkuqja” ka njoftuar se do të protestojë nesër, për “8 mars” në Shkup.
Nga kjo OJQ bëjnë të ditur se “gratë në mbarë botën me më shumë se 12 orë punë të papaguara, të pambrojtura dhe të panjohur nga shoqëria apo institucionet”.
“Sipas UN Women, gratë kryejnë 78% të punës së papaguar, duke përfshirë këtu kujdesin për fëmijët, për të moshuar dhe punët e shtëpisë”, thonë nga “Mollëkuqja”.
Ata pyesin: Kush ua përgatiti iftarin sot?
“Andaj, Mollëkuqja nuk do të festojë as këtë 8 mars. Përmes këtij aksioni, rikujtojmë që gratë përpos që kryejnë të gjitha punët e papaguara në 12 muaj të vitit, por gjatë festave ngarkohen edhe me më shumë përgjegjësi. Pabarazia e vazhdueshme e minon mirëqenien dhe pavarësinë ekonomike të grave. Po juve – kush ua përgatiti iftarin sot?
Mollëkuqja përmes këtij aktiviteti synon të krijojë dialog të hapur mbi rëndësinë e barazisë gjinore dhe njohjen e vlerës së punës së papaguar, duke inkurajuar masën të reflektojë dhe të promovojë ndryshim shoqëror”, thonë më tej nga “Mollëkuqja”.



