KulturëKurioziteteLajmeTrashëgimia Kulturore

“Miss Kosova” që në vitin 1970! Kush ishte Afërdita Zatriqi-Hatipi, vajza që kishte rrëmbyer kurorën e më të bukurës në kohën e Ish-Jugosllavisë

“Miss Kosova” është titulli dhe kurora që i dhurohet çdo vit femrës më të bukur në Kosovë.
Që nga viti 1994 ka pasur një organizim konstant të këtij eventi, me bukuroshe që janë përzgjedhur si më të bukurat e Kosovës vit pas viti dhe kanë përfaqësuar shtetin në konkurset gjigante të bukurisë si “Miss Bota” dhe “Miss Universi”.

Mirëpo duket se fillet e organizimit të këtij evenimenti në Kosovë nuk janë në vitet 90’. Në një kohë që për shumë kë mund të ishte e paimagjinueshme që të kishte përzgjedhje të më të bukurës në vend, duket se u mbajt një organizim, që shënon edhe përzgjedhjen e parë të “Miss Kosova”.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, e lindur në vitin 1952 është femra e parë shqiptare në Kosovë e përzgjedhur “miss”, e cila u shpall “Miss Kosova” në vitin 1970, në kohën kur shteti i Kosovës ishte pjesë e Ish-Jugosllavisë.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, “Miss Kosova 1970” (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Ajo e fitoi këtë titull në një eveniment modest të zhvilluar aso kohe në Prishtinë, duke lënë madje prapa konkurrente të kombësisë serbe – të cilat ishin përzgjedhur përcjellëset e saj, duke marrë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë në këtë kompeticion.
Vajzat e Afërditës së ndjerë, Vesa dhe Mjellma Hatipi, tregojnë për Telegrafin detaje nga ai organizim i atëhershëm, ose më saktësisht ato që dinë nga ky eveniment i cili numëron gjysmë shekulli që nga organizimi i tij.

“Nëse nuk gaboj, zgjedhja e ‘Miss Kosova 1970’ është mbajtur në hotelin (atëherë) ‘Bozhur’. Përcjellëse të ‘Miss’-it kanë qenë dy vajza të kombësisë serbe. Për shpërblim mamit ia kanë dhuruar një brez (kollan) prej argjendi dhe një medalion bukur të madh, të punuara në filigran nga mjeshtri Simon Shiroka”, ka thënë Vesa për Telegrafin.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, “Miss Kosova 1970” (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Duke kujtuar pjesëmarrjen e nënës së saj në kompeticionin e bukurisë, vajza tjetër e saj thekson se Zatriqi-Hatipi mori pjesë aso kohe në këtë konkurs me sugjerimin e rrethit.
“Edhe pse gjithmonë ka gëzuar shumë vëmendje për pamjen e saj, nuk i pëlqente të ishte në qendër të saj. Nuk më kujtohen bash detajet, por e di që dikush e ka bindë të marr pjesë si konkurrente në spektaklin e bukurisë së atëhershëm”, ka thënë për Telegrafin, Mjellma.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, “Miss Kosova 1970” në pishinën e Gërmisë (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Të marrësh pjesë në një konkurs bukurie në vitin 1970, duke llogaritur rrethanat dhe mentalitetin e asaj kohe në trevat shqiptare duket të ketë qenë shumë sfiduese dhe mbase për dikë edhe e pa-konceptueshme.
Por ky nuk është rasti i Afërditës, e cila kishte gjetur përkrahjen e madhe nga rrethi dhe familja dhe nuk ishte përballur me paragjykime të mentalitetit të vrazhdë.

“Shoqëria imediate e mamit nuk ka pasur aso lloj paragjykimesh në atë kohë, nuk ka thënë asnjëherë që është përballur me to. Ta kemi parasysh që atëherë nuk kishte internet e rrjete sociale – sot sigurisht që ndoshta do të ishte ndryshe”, ka thënë Vesa.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, “Miss Kosova 1970” (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Por kush ishte Afërdita Zatriqi – Hatipi dhe çfarë profesioni kishte “më e bukura e Prishtinës” e asaj kohe?
“Mami ka ndjekur mësimet në shkollën fillore atëherë ‘Aca Maroviq’ (sot ‘Faik Konica’), gjimnazi ‘Ivo Lola Ribar’ (sot ‘Sami Frashëri’). Studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës”, ka treguar vajza e saj për Telegrafin.

Pamje nga organizimi i atëhershëm i “Miss Kosova 1970”, në Prishtinë (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Duke kujtuar tiparet e veçanta të nënës që iu mungon shumë, vajzat e “Miss Kosovës 1970” kujtojnë për Telegrafin disa nga vetitë shpirtërore më të veçanta të sajat, me të cilat krenohen edhe sot e kësaj dite.
“Vet fakti që ka qenë konkurrente në zgjedhjen e parë për ‘Miss Kosova’ tregon guximin që ishte vetëm një nga virtytet e saj që na ka bërë të krenohemi gjithmonë me të”, thotë Vesa.

Pamje nga një prej të ashtuquajturat “mbrëmje shoqërore” të gjimnazit, Afërdita Zatriqi-Hatipi në moshën 16-vjeçare (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Po aq krenare është vajza tjetër, Mjellma, e cila thotë se më shumë se sa të arriturat në karrierë, ajo dhe motra e saj janë krenare për atë që ishte – për personin që ishte…
“Natyrisht jemi krenare për të arriturat e saj, mirëpo më së shumti jemi krenare që patëm një nënë me kualitete njerëzore shumë të mira”, thotë Mjellma.

Afërdita Zatriqi-Hatipi, “Miss Kosova 1970”, së bashku me dy përcjellëset e “miss”-it nga kombësia serbe (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Afërdita u nda nga jeta në vitin 1998 pas vuajtjes nga një sëmundje e rëndë, por që dashuria për rrethin, familjen e në veçanti për Mjellmën dhe Vesën, nuk mungoi deri në agoninë e saj.
“Çdo ditë e kujtoj ngrohtësinë, afërsinë dhe dashurinë që nuk e ka kursyer as në momentet më të vështira të jetës”, ka përfunduar mes emocionesh Vesa.

Afërdita Zatriqi-Hatipi – “Miss Kosova 1970”, me artistin e madh Faruk Begolli (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

E ndjera Zatriqi-Hatipi, u martua me bashkëshortin e saj Blerim Hatipi në nëntor të vitit 1974 – nga i cili e ndau herët sëmundja e rëndë.
Ajo kujtohet edhe sot e kësaj dite nga gjenerata e saj si “Bukuroshja e parë e Prishtinës”, e cila përveçse një studente e dalluar, ishte edhe aktiviste e kryeqendrës në atë kohë.
“Bukuroshja e Parë e Prishtinës” dhe mikeshat e saj, nën stilin dhe modën e viteve 70′ (Foto: Telegrafi/siguruar nga familjarët)

Historiku i bukurosheve të përzgjedhura “Miss Kosova” ndër vite:
1994 – Afërdita Paçarada (Prishtinë)
1995 – Blerta Syla (Istog)
1996 – Diellza Kollgeci (Prishtinë)
1997 – Adelina Ismaili (Prishtinë)
1999 – Venera Mustafa (Prishtinë)
2000 – Mimoza Harxhi (Pejë)
2001 – Albina Hashani (Prishtinë)
2002 – Njomëza Rozhaja (Pejë)
2003 – Agnesa Vuthaj (Istog)
2006 – Besa Gashi (Drenas)
2007 – Yllka Berisha (Prishtinë)/Telegrafi/

Free Download WordPress ThemesPremium WordPress Themes DownloadDownload Best WordPress Themes Free DownloadDownload Premium WordPress Themes Freefree download udemy coursedownload intex firmwareDownload WordPress Themes Freeudemy free download

Related Articles

Back to top button
Close
Close