LajmeMaqedoni

Ministri Klekovski viziton Spitalin e Gostivarit

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot do të vizitojë Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, pasi një numër i madh qytetarësh me simptoma të të vjellave, diarresë dhe temperaturës kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pas vizitës ministri Klekovski do të japë një deklaratë për media.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dje ndaloi përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se uji është i ndotur dhe i pasigurt për përdorim.

Pas mbikëqyrjes së kryer, është konstatuar se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, pa miratim, ishte vendosur një pompë që injektonte drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë.

“Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullatën e këtij rajoni, AUV ka vendosur ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për pije deri në marrjen e rezultateve të analizave laboratorike, me të cilat do të konfirmohet siguria e tij”, njoftuan nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Nga drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit konfirmuan se gjatë ditëve të fundit më shumë se një mijë qytetarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun. Rasti me ujin e pijshëm nga ujësjellësi i qytetit u bë aktual pasi u regjistrua një rritje e numrit të qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të shqetësimeve gastrointestinale.

Inspektorët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë kanë kryer kontrolle pas denoncimit lidhur me këtë rast. Zëdhënësi i SPB – Tetovë, Fatmir Rexhepi, konfirmoi se me urdhër të prokurorit publik po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

“Për shkak të dyshimit për kryerjen veprës penale ‘Ndotja e ujit për pije’, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal, në zbardhjen e këtij rasti është përfshirë edhe policia”, deklaroi Rexhepi.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, vonë mbrëmë përmes një postimi në Facebook u bëri thirrje qytetarëve që ta respektojnë ndalimin e përdorimit të ujit, duke shtuar se deri më tani nuk ka prova zyrtare se shqetësimet gastrointestinale të raportuara janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit.

“Në një situatë të tillë, detyrimi im i parë është t’ju informoj saktë, me kohë dhe pa fshehur asnjë informacion. Sipas analizave të rregullta që kryen NP ‘Komunalec’, mostrat e analizuara deri më tani tregojnë se parametrat e ujit kanë qenë brenda kufijve të lejuar me ligj. Pas denoncimit të marrë, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet e tjera kompetente kryen inspektim shtesë dhe morën mostra të reja për analiza laboratorike. Deri në publikimin e rezultateve zyrtare, me rekomandim të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, është vendosur ndalim i përkohshëm për përdorimin e ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit. Apeloj që kjo masë të respektohet plotësisht. Ajo është masë parandaluese dhe është marrë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Lidhur me pretendimet se ka pasur përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, informacionet nga NP ‘Komunalec’ tregojnë se në lokacionin e përmendur nuk ka rrjet kanalizimi”, shkroi Limani.

Kryetari i komunës shtoi se të gjitha pretendimet janë objekt verifikimi dhe se vlerësimin përfundimtar do ta japin ekskluzivisht institucionet kompetente.

“Aktualisht nuk ekziston asnjë provë zyrtare mjekësore apo laboratorike që shqetësimet gastrointestinale të raportuara janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit. Shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave relevante. Komuna është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe bashkëpunon plotësisht në procedurë. Sapo të jenë të disponueshme rezultatet zyrtare, ato do të publikohen në mënyrë të plotë dhe transparente”, theksoi Limani.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, ta respektojnë ndalimin e përkohshëm dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.

“Në momente të tilla, përgjegjësia e institucioneve është të vërtetojnë faktet, ndërsa përgjegjësia e të gjithëve ne është të mos përhapim informacione të paverifikuara. Shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishmi dhe çdo vendim do të merret ekskluzivisht në përputhje me gjetjet zyrtare profesionale”, përfundoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Related Articles

Back to top button
Close
Close