
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës së sotme në spitalin e Gostivarit, konfirmoi se numri i të prekurve ka tejkaluar 1.000 persona, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 260 raste të reja. Edhe pse shumica e pacientëve janë dërguar për mjekim në shtëpi, situata mbetet serioze, veçanërisht për fëmijët dhe personat me sëmundje kronike nga Gostivari dhe vendbanimet përreth, si Vrutoku, Çegrani, Çajla dhe Debreshti.
Ministri Klekovski theksoi se rezultatet përfundimtare të analizave mikrobiologjike dhe kimiko-fizike priten së shpejti, ndërsa po hetohet prania e viruseve, baktereve, parazitëve dhe metaleve të rënda.
Ai deklaroi se nuk do të shpallet epidemi në Gostivar derisa të përcaktohet shkaku i numrit të madh të të sëmurëve dhe i problemeve gastrointestinale.
Ndërsa priten rezultatet zyrtare, sfida kryesore për autoritetet shëndetësore mbetet parandalimi i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes në kushtet e temperaturave të larta verore, të cilat favorizojnë zhvillimin e infeksioneve bakteriale.
Për shkak të dyshimeve të bazuara për ndotje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nxjerrë një ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i qytetit për pije dhe përgatitjen e ushqimit.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) – Tetovë, me urdhër të një prokurori publik, ka hapur procedurë për veprën penale “Ndotja e ujit të pijshëm”, sipas nenit 219 të Kodit Penal. Hetimi është përqendruar në dyshimet se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, pa miratimin përkatës, ishte vendosur një pompë që injektonte drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar.
Kriza shëndetësore në Gostivar nisi gjatë natës së 13 korrikut 2026, kur pacientët e parë kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad”. Simptomat përfshijnë diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë, duke treguar për një infeksion akut gastrointestinal.



