
Rusia po bëhet “kërcënim gjithnjë e më i madh” për NATO-n, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.
Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Pistorius tha se Moska po “teston aleatët e NATO-s me një shpeshtësi dhe intensitet në rritje”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po “përpiqet me qëllim ta minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane”, theksoi Pistorius.
“Ai kërkon t’i provokojë shtetet anëtare të NATO-s. Ai dëshiron t’i ekspozojë dobësitë brenda aleancës sonë”, nënvizoi ai.
Por, NATO-ja ka “reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi”, shtoi ministri gjerman.
“Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Po ruajmë gjakftohtësinë duke qëndruar të palëkundur dhe të vendosur”, theksoi ai.
Përkrah Pistoriusit, në forum ishin të pranishëm edhe ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, dhe homologu i tij estonez, Hanno Pevkur, si dhe komisionari Evropian për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilius.
Pistorius pritet gjithashtu të bisedojë për të ardhmen e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën në bisedime të nivelit të lartë në kryeqytetin polak.
Bisedimet vijnë disa javë pasi dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
Incidenti u pasua nga shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s në Rumani dhe Estoni.
“Kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve tanë në Baltik që u ngritën dhe shoqëruan avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë”, tha Pistorius.
Duke folur në këtë konferencë, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë është pjesë e një projekti politik për nënshtrimin e popujve të tjerë.
“Kjo luftë është edhe lufta jonë”, deklaroi Tusk.
“Nëse e humbim këtë luftë, pasojat do të ndikojnë jo vetëm mbi gjeneratën tonë, por edhe mbi brezat e ardhshëm në Poloni, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë”, shtoi ai.



