Milan ngadalësoi ritmin në javën e 19-të të Serie A, duke barazuar 1 – 1 një ndeshje dramatike në shtëpi me Genoa.
Një rezultat që e mban 3 pikë larg vendit të parë, Interit. Miqtë ishin të parët që realizuan në minutën e 29-të me Colombo.
Vendasve iu desh shumë kohë për të barazuar, ndërsa më herët Pulisic iu anulua një gol me sistemin VAR për prekje të topit me dorë. Rafael Leao ishte shpëtimtari i Milanit, duke realizuar në të 92-tën.
Por emocionet e kësaj sfide nuk mbaruan këtu, pasi Genoas iu akordua një penallti në minutën e 99-të. Stanciu e çoi topin mbi traversë, duke humbur një shans të madh për t’i dhënë fitoren ekipit të Daniele De Rossi. Në anën tjetër, skuadra e Massimiliano Allegrit ka lënë 11 pikë deri më tani me skuadrat e konsideruara të vogla.
“Të shikojmë aspektet pozitive, pasi skuadra goditi shumë herë portën, por kemi qenë pak të pasaktë nga nxitimi”, tha Allegri.
Te Genoa, që po lufton për mbijetesë, u grumbullua për herë të parë 18-vjeçari shqiptar Joi Nuredini. Po të enjten, Cremonese barazoi 2 – 2 me Cagliari. Alen Sherri, i rikthyer te skuadra nga Sardenja, qëndroi në stol.



