
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili sot ndodhet në vizitë pune në Turqi me një delegacion qeveritar në forumin e biznesit në Stamboll, u bëri thirrje investitorëve turq të jenë pjesë e historisë së zhvillimit të Maqedonisë. “Maqedonia dhe Turqia tradicionalisht kanë kultivuar marrëdhënie miqësore të ndërtuara mbi besim, respekt dhe lidhje të forta midis popujve, ndërsa pikërisht këto marrëdhënie paraqesin një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të reja”, theksoi Mickoski në fjalimin e tij në forum.
Ai potencoi se Maqedonia sot po pozicionohet si një destinacion biznesi i qëndrueshëm dhe konkurrues, me një pozicion gjeografik strategjik, klimë të favorshme investimi, zona moderne industriale dhe qasje në tregjet rajonale dhe evropiane.
“Kompanitë turke, duke investuar në Maqedoni, fitojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e zinxhirëve të furnizimit evropian dhe për të zgjeruar praninë e tyre në tregje më të gjera. Theksova se qëllimi ynë është të ndërtojmë partneritete afatgjata, të cilat do të krijojnë vende të reja pune, rritje më të madhe ekonomike dhe sukses të përbashkët. I ftova investitorët turq të jenë pjesë e historisë së zhvillimit të Maqedonisë, një vend që ka një vizion të qartë për të ardhmen, një derë të hapur për investime të reja dhe një angazhim të fortë për zhvillimin ekonomik”, shkroi Mickoski në publikim.



