LajmeMaqedoniTopLajm

Mickoski: Synimi ynë është që inflacioni i produkteve bazë ushqimore të bjerë nën 3 %

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, bëri të ditur se Qeveria ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve në vend, ku është diskutuar për situatën ekonomike dhe masat për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të produkteve bazë ushqimore informon Tetovasot.

Sipas Mickoskit, qëllimi i përbashkët është që në muajin korrik norma vjetore e rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore të mos kalojë 3 për qind.

“Gjatë ditës së djeshme zhvilluam një takim me përfaqësuesit e marketeve më të mëdha. Analizuam efektet e krizës dhe përcaktuam objektiva të përbashkëta. Një prej tyre është që në korrik ndryshimi vjetor i çmimeve të produkteve bazë ushqimore të jetë nën 3 për qind”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se për realizimin e këtij objektivi do të nevojiten edhe takime me prodhuesit, distributorët dhe furnizuesit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e përbashkët në interes të qytetarëve.

“Qytetarët duhet të marrin shërbimin më të mirë dhe produktet më cilësore me çmime sa më të ulëta. Kjo është qëllimi ynë i përbashkët”, tha kryeministri.

Mickoski nënvizoi se në muajin maj inflacioni i produkteve bazë ushqimore ishte rreth 4,5 deri në 4,7 për qind, ndërsa sipas tij vendet e rajonit po përballen me norma edhe më të larta. Ai përmendi se inflacioni në Greqi është mbi 5 për qind, në Bullgari mbi 6 për qind, ndërsa në Rumani dhe Kosovë mbi 8 për qind.

“Synimi ynë është që nga korriku të fillojmë me një normë nën 3 për qind të rritjes vjetore të çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Kjo është një detyrë që ia kemi vendosur vetes si Qeveri, por edhe përfaqësuesit e marketeve më të mëdha në vend”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë të punojë për zgjidhje afatgjata dhe sistemore që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close