
Duke komentuar paralajmërimet e Ahmetit se mund të dalë në rrugë të protestojë, kryeministri Hristijan Mickoski bëri thirrje liderit të BDI-së që të mos jetojë në të kaluarën, por të shikojë nga e ardhmja. Mickoski e këshilloi Ahmetin që fillimisht të hedhë një sy drejt milionerëve që e rrethojnë dhe që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, e më pas të përpiqet të ristrukturojë partinë e tij, në vend që të kërcënojë.
Ahmeti njoftoi se BDI-ja mund të organizojë protesta masive për mbështetjen dhe lirimin e Kreshnik Bekteshit, i cili ndodhet në paraburgim si pjesë e hetimit për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 62 persona. Kjo nuk është hera e parë që Ahmeti kërcënon me protesta në rrugë. Kërcënimet lëshoi edhe verën e kaluar, kur me arsyetimin se qeveria është e paligjshme, ai paralajmëroi se do të shprehte revoltën e tij në rrugë. Prej disa muajsh, policia është në kërkim të bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ahmetit, Artan Grubi, i cili është në listën e zezë amerikane për korrupsion. Përveç Grubit, po kërkohet edhe një tjetër anëtar i BDI-së, Përparim Bajrami, i cili gjithashtu është në arrati dhe dyshohet për shpërdorime me tenderët në Lotarinë shtetërore në kohën kur ishte drejtor. Ndërkohë në listë të zezë të SHBA-ve është edhe kreu aktual i Komunës së Strugës Ramiz Merko, të cilin Ahmeti shqyrton ta kandidojë edhe për një mandat në Strugë.



