
Kryeministri Hristijan Mickoski sot përsëriti se është i gatshëm për takim me sindikatën dhe për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive për nëpunësit shtetërorë, por theksoi se do të duhet të bien dakord që nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive të hiqet pjesa që lidhet me pagat, e cila, siç tha ai, është e paqartë dhe për të do të duhet të negociohet veçmas, transmeton Portalb.mk.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm për takim. Absolutisht mund të biem dakord për një takim dhe nuk kishte nevojë për komente publike lidhur me këtë temë, kur unë këtë e kam propozuar shumë qartë që vitin e kaluar, vetëm se atëherë ishte paraparë në katër këste, pasi përfshinte edhe vitin 2025. Tani, duke qenë se viti 2025 ka kaluar, mbeten tri vite, përkatësisht dy vite e dy–tre muaj (prill 2026, 2027 dhe 2028). Ky është kushti – të vijnë për negociata, por gjithashtu në këto bisedime duhet të bien dakord që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, e cila tashmë ka skaduar, të hiqet pjesa për pagat, e cila gjithsesi është konfuze, dhe të përqendrohemi në finalizimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa brenda këtyre dy viteve të arrijmë marrëveshje edhe për atë pjesë. Ne jemi të gatshëm për negociata”, deklaroi sot Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai tha se kjo ofertë ka qenë në tryezë tashmë një vit dhe se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar, pra i njëjtë si atëherë ashtu edhe tani.
“Me këtë, Qeveria i rregullon marrëdhëniet me kolegët e saj, përkatësisht aty ku Qeveria është punëdhënës, sepse mbeten edhe nëpunësit administrativë. Me të gjithë të tjerët, ne si Qeveri kemi marrëveshje”, tha Mickoski pas shënimit të fillimit të ndërtimit të bulevardit ‘Maqedonia’, pranë hotelit Limak në Shkup.
Kujtojmë se, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paralajmëroi bllokada dhe protesta nga 2 shkurti për shkak të pakënaqësisë nga të ardhurat e ulëta minimale të punëtorëve. Përfaqësuesit e LSM-së janë të prerë se do të vazhdojnë me protesta derisa të arrihet paga minimale prej 600 eurosh dhe rritje e të gjitha pagave për 100 euro.



