LajmeMaqedoniTopLajm

Mickoski fton qytetarët në protesta masive: Me propozimin francez, Rama dhe Shqipëria fillon negociatat, jo ne

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski,  bën thirrje për protesta masive para Qeverisë, kundër propozimit francez. Sipas Mickoskit me pranimin e këtij propozimi,  Edi Rama dhe Shqipëria fillojnë negociatat dhe jo edhe Maqedonia e Veriut.

“Ne nuk do të fillojmë tani negociatat, këtë duhet me patjetër qytetarët ta dini. Shqipëria do të fillojë, jo ne. Shqipëria po,  por jo ne. Ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën. Në këtë e nënshkruajmë që Shqipëria të nisë negociatat dhe jo Maqedonia. Këtë duhet ta dijë çdo qytetarë. Nuk kam asgjë kundër shqiptarëve, le të fillojnë. Nëse Komisioni Evropian ka vlerësuar se vendi i Edi Ramës është aty, ndërsa vendi i Maqedonisë nuk është aty, ky është vendim i Komisionit, nuk përzihem. Nëse është vendim i Komisionit evropian që Maqedonia 22 vite të presë, ndërsa Edi Rama të jetë atje, sepse  ai ka vlera evropiane dhe jo unë dhe as këta njerëz këtu, atëherë ky është vendimi i tyre.”- deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE.

Nga LSDM akuzojnë liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskin se po përpiqet të shkaktojë tensione në shtet. Darko Kaevski thotë se Mickoski së bashku me Dimitar Apasiev po punojnë kundër anëtarësimit në BE.

“Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev janë personazhet kryesore të koalicionit anti-NATO dhe anti-BE. Apasiev thotë atë që mendon Mickoski, Apasiev bën atë që urdhëron Mickoski. Mickoski dhe instalacioni prorus Apasiev së bashku përhapin histerinë përmes lajmeve të rreme dhe fyerjeve.Por kjo nuk është hera e parë që VMRO DPMNE dhe e majta tentojnë të krijojnë tensione së bashku.Publiku ende i mban mend gënjeshtrat e VMRO DPMNE-së dhe të Majtës për kantonizimin, federalizimin, kampet e emigrantëve, se me Marrëveshjen e Prespës identiteti u shit, për bullgarizim.”- pohoi Darko Kaevski – Deputet LSDM.

Në takimin me Kovaçevskin, Mickoski ka kërkuar që ta refuzojë propozimin francez duke thënë se në këtë rast VMRO-DPMNE do të tërhiqej nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close