
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk ka çfarë të komentojë drejtpërdrejt lidhur me pretendimet e kardio-kirurgut Zhan Mitrev, sipas të cilave ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe kanë ushtruar presion ndaj tij me qëllim marrjen e klinikës private, përcjellë Top24
Mickoski vlerësoi se këto pretendime duhet të jenë objekt i veprimit të Prokurorisë Publike sipas detyrës zyrtare, duke shtuar se ato nuk e befasojnë, duke pasur parasysh, siç tha ai, mënyrën se si funksiononte pushteti në atë periudhë. Sipas tij, bëhet fjalë për një kohë kur, nën arsyetimin e rrethanave dhe gjendjes së jashtëzakonshme, janë miratuar dekrete me fuqi ligji, për të cilat, siç pretendon, ekzistojnë dëshmi të shumta se janë keqpërdorur.
Në këtë kontekst, Mickoski iu referua edhe rolit të presidentit të atëhershëm të shtetit, Stevo Pendarovski, duke theksuar se një pjesë e dekreteve të miratuara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ende nuk janë shqyrtuar dhe miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Sipas tij, pikërisht Kuvendi duhet të shprehet për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e tyre, për të përcaktuar nëse ekziston përgjegjësi e mundshme.
Mickoski theksoi se në opinion ekzistojnë dyshime serioze se vendimet e marra nga Pendarovski në atë periudhë kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, gjë që, nëse konfirmohet, hap çështjen e përgjegjësisë institucionale dhe penale. Ai nënvizoi se tani mbetet të shihet nëse prokuroria do të reagojë dhe do të hapë procedurë lidhur me këto pretendime.
Deklarata e Mickoskit vjen në kontekstin e reagimeve të shtuara politike pas paraqitjeve publike të Zhan Mitrevit, të cilat rihapën çështjen e marrëdhënieve mes pushtetit ekzekutiv, prokurorisë dhe sektorit privat gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së dhe menaxhimit të krizës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, shkruan skopje1. përcjellë Top24



