
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në një prononcim për Zyrtare.net ka akuzuar BDI-në se po manipulon opinionin publik për çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë, duke thënë se protesta e organizuar nuk duhet të drejtohej ndaj Komunës së Tetovës.
Sipas tij, Këshilli Komunal e ka miratuar vendimin me shumicë të dyfishtë (Badinter), ndërsa problemi, sipas Mexhitit, qëndron te fakti se për më shumë se 20 vjet BDI nuk ka siguruar pëlqimin e nevojshëm nga Qeveria që vendimi të bëhej i plotfuqishëm.
“Komuna e ka sjellë vendimin me shumicë të dyfishtë. Nëse dikush duhet të protestojë, duhet të protestojë para BDI-së, sepse për 20 vite nuk e ka sjellë në mënyrë ligjore vendimin që të jetë i plotfuqishëm”, deklaroi Mexhiti për Zyrtare.net.
Ai shtoi se në vendimin e miratuar janë përfshirë shtatë emra të historisë shqiptare dhe katër të historisë maqedonase, ndërsa paralajmëroi se Komuna e Tetovës do të vazhdojë me emërtimin e dhjetëra rrugëve të tjera me figura të historisë shqiptare./Zyrtare.net



