
385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Për këtë nismë, Portalb.mk bisedoi me iniciatorin e kësaj nisme, Mevlan Ademin.
Ademi thotë se peticionin të cilin e kanë organizuar është i nënshkruar nga plot 385 studentë të fakulteteve juridike të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, pasi i njëjti paraqet provimin kryesor për përkryerjen profesionale të juristëve pasi hap rrugën për te Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë, për punën si noter, për punën si avokat.
“Shkaku që shumica e studentëve në fakultetet apo universitetet në shqip e mësojnë literaturën në gjuhën shqipe edhe pastaj kur i nënshtrohen provimit i nënshtrohen në terminologji juridike në gjuhën maqedonase, kjo për ata hapën shumë vështirësi dhe për këtë arsye ata nuk i nënshtrohen fare”, thotë Ademi.
Kjo nismë nuk është e re, e njëjta filloi edhe para një viti e gjysmë, por hasi në vesh të shurdhër.
“Kështu që morëm një qasje më ndryshe me numër më të madh të studentëve dhe do shohim tani si do jetë përgjigja, në qoftë se përsëri do hasim në vesh të shurdhër ose shohim që nuk ka ndonjë lëvizje ose tentativë konkrete që të punohet në këtë drejtim, normalisht se do marrim hapa tjera, hapi i parë do jetë që do e dërgojmë në Odën e Lartë të OSBE-së në Shkup, Këshilli Evropian në Strazburg edhe pse jo ndonjë protestë”, tha Ademi.
Ai thekson se ky peticion duhet të shërbejë edhe si katalizator për institucionet, sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin që edhe ata të nisin të zbatojnë gjuhën shqipe siç parashihe.
“Ne kemi të drejtë të mësojmë në gjuhën shqipe, pse të mos kemi të drejtë të punojmë dhe funksionojmë në gjuhën shqipe”, tha Ademi.
Megjithatë, deri tani nuk kanë marrë përgjigje zyrtare, Ademi tha se vazhdimisht kanë marrë përgjigje jozyrtare se çështja shqyrtohet, por asgjë konktete.
“Nuk është përkrahja vetëm me fjalë, por duhet të jetë edhe me vepra”, tha Ademi.
Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.

Portalb.mk ka kontaktuar me institucionet të cilave u është dorëzuar peticoni, por deri tani asnjëri nga ata nuk ktheu përgjigje.
Vetëm nga Ministria e Drejtësisë na konfirmuan se të premten e kanë pranuar peticionin dhe se do të përgjigjen në vijim në pyetjet gazetareske.
Këtë problem Portalb.mk e trajtoi në nëntor të vitit 2024. Nuk ka ligj që shkruan në mënyrë eksplicite se provimi nuk guxon të mbahet në gjuhën shqipe, por që të sigurohet përdorimi i shqipes dhe mos të mbetet peng i “vullnetit” të zyrtarëve, megjithatë nevojiten ndryshime ligjore. Ish-ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në fund të mandatit të tij tentoi të ndërmerr hapa më konkrete por s’pati kohë t’i procesojë ndryshimet, ndërkaq pushteti aktual këtë tani për tani s’e ka në plan.



