
Juventusi po punon intensivisht për të zh bllokuar një merkato që deri tani ka mbetur e ngurtë. Drejtuesit bardhezinj janë të bindur se pa largime me peshë nuk mund të ketë lëvizje të rëndësishme në hyrje. Kandidatët kryesorë për t’u sakrifikuar janë Dagllas Luiz dhe Niko Gonzalez, dy lojtarë që kanë treguar cilësi, por që sot shihen më shumë si burim të ardhurash sesa si pjesë kyçe e projektit.
Mesfushori brazilian, i afruar vetëm pak muaj më parë nga Aston Vila, ka humbur peshë në hierarkitë e Tudorit. Paga e tij e lartë dhe profili teknik që nuk përputhet plotësisht me idetë e trajnerit e kanë futur në listën e largimeve. Opsioni më konkret është ai i Notingham Forest, që ka hapur bisedime të drejtpërdrejta me Juventusin. Anglezet kanë shfaqur gatishmëri për një marrëveshje që mund të përfshijë fillimisht huazimin me detyrim blerjeje.
Shuma totale, mes tarifës fikse dhe bonuseve të lidhura me paraqitjet dhe objektivat, mund të kalojë 30 milionë euro. Një injeksion i tillë financiar do të ishte oksigjen i pastër për arkat e klubit torinez. Situata e Niko Gonzalez është disi më e komplikuar. Sulmuesi argjentinas, i afruar një vit më parë për të dhënë alternativë në krahët e ofensivës, nuk ka arritur të bindë plotësisht. Për Juventusin, vlera e tij rreth 30 milionë euro mund të kthehet në një kartë të rëndësishme negociuese.
Në horizont shfaqet një pistë interesante: shkëmbimi me Atletiko Madrid për Nahuel Molina. Lojtari i përfaqësueses argjentinase shihet si profili i duhur për krahun e djathtë të mbrojtjes, një rol që Tudorit i mungon prej kohësh.Operacioni do të kishte kuptim për të gjitha palët e përfshira.
Juventus do të siguronte një titullar në një rol të zbrazët, Atletiko do të shtonte në repartin e avancuar një lojtar të shpejtë dhe të gjithanshëm, ndërsa vetë lojtarët do të përfitonin nga një skenar i ri përpara një Botërori që po afrohet. Gonzalez kërkon më shumë minutazh dhe hapësirë për të treguar veten, ndërsa Molina e sheh rikthimin në Serie A si një trampolinë për të forcuar vendin e tij në kombëtaren argjentinase.



