LajmeRajon

Memli Krasniqi: Kryeministër, trajtoni dinjitetshëm e pa dallime të gjitha komunat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ka thënë se konsideratat më të larta janë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim, për kulturën e lartë politike që kanë treguar nq zgjedhjet e fundit.

“Në rrafshin përmbajtjesor, ajo çfarë këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah është njohja me profilin e ri të qytetarit të Kosovës. Një qytetar i mirinformuar që beson në program dhe di të vlerësojë programe, që nuk i nënshtrohet qeverisjes, por që e kontrollon qeverisjen. Një qytetar sovran”.

Ai ka shtuar se ky është një standard që i imponohet të gjithëve, pavarësisht pozitave që mbajnë e roleve që ushtrojnë aktualisht dhe në të ardhmen. Po ashtu, ai i ka bërë ftesë kryeministrit Kurti që të mbështesë të gjitha komunat, pa dallim.

“Qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por qeveria qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë, barabartë dhe pa diskriminim. Ajo se ku kemi fituar e ku kemi humbur zgjedhjet nuk duhet të errësojë veprimin e drejtë dhe të duhur, për t’i trajtuar dinjitetshëm të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Zgjedhjet lokale janë për qytetarë dhe jo për politikanë. Kryeministër, ftesa ime ndaj jush është e sinqertë. T’i përmbaheni asaj çfarë është përgjegjësi e juaja si qeveri dhe si kryeministër. Dhe këto përgjegjësi, sot janë më të mëdha se zakonisht. Prandaj, kuptojeni këtë ftesë drejt, për t’u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij. Sepse qytetari i Kosovës, në këto zgjedhje ka folur shumë qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm, është i pamjaftueshëm”.

Në fund, ai ka falënderuar të gjithë qytetarët pa dallime :që në këto zgjedhje, i kanë besuar projektit politik të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë projekt për ta dhe ekskluzivisht në dobi të tyre:.

“Të gjithë kryetarëve të zgjedhur nga vota e lirë, ju dëshiroj punë të mbarë, qeverisje kompetente, të bazuar në ligj dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close