BotaLajme

Meloni: Italia do t’i përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, fondet për mbrojtjen duhet të qëndrojnë në vend dhe për Trump nuk kam pendesa

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka konfirmuar edhe një herë se Italia do të respektojë angazhimet e saj ndaj NATO-s, duke nënvizuar se shtimi i investimeve në mbrojtje do të ecë në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithmonë sipas interesit kombëtar.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në mbyllje të samitit të NATO-s në Ankara, Meloni trajtoi prioritetet e ekzekutivit të saj, raportin me presidentin amerikan Donald Trump, zhvillimet alarmuese në Iran, mbështetjen për Ukrainën dhe akuzat që i vijnë nga opozita italiane.

“Ne duam të respektojmë angazhimet tona për shpenzimet në mbrojtje. Po e bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, por në mënyrë të qëndrueshme, duke përcaktuar vetë kohën, mënyrat dhe prioritetet sipas kontekstit”, deklaroi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Ajo theksoi se paratë e investuara në mbrojtje duhet të prodhojnë përfitime të drejtpërdrejta për vendin, duke mbështetur industrinë italiane, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e territoreve.

“Investimet që bëjmë duhet të mbeten në Itali, në fabrikat tona, në qendrat tona të kërkimit dhe në territoret tona. Kjo do të thotë më shumë siguri, por edhe më shumë vende pune të kualifikuara, më shumë kërkim dhe jo çeqe që përfundojnë jashtë vendit,” deklaroi ajo.

Duke komentuar sulmet dhe kritikat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump gjatë javëve të fundit, Meloni tha se nuk ka asnjë arsye për t’u penduar për qëndrimet e mbajtura deri tani.

“Nuk pendohem për asgjë që kam bërë. Nuk do ta ndryshoj strategjinë time. Investimin politik e kam bërë sepse besoj në unitetin e Perëndimit. Nuk është një strategji që ka lindur me ardhjen e Trump, por është qasja që kam me të gjithë bashkëbiseduesit e mi. Me Trump kemi afërsi në disa tema, si emigracioni apo kultura ‘woke’. Gjërat po zhvillohen siç i kemi parë, por unë nuk ndryshoj mendim,” tha ajo.

Meloni e përshkroi samitin si “të shkurtër, por intensiv” dhe ritheksoi se NATO vijon të jetë një aleancë e bashkuar, e ndërgjegjshme për sfidat dhe e vendosur të rrisë kapacitetet e saj.

“Besoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm i samitit të Ankarasë. NATO është një aleancë e bashkuar, e vetëdijshme për sfidat që ka përpara dhe e vendosur të forcohet. Italia i ndan plotësisht këto objektiva dhe këtë qasje. Në samit kemi paraqitur një ide shumë konkrete të sigurisë, një siguri që nuk lidhet vetëm me ekuilibrat gjeopolitikë, por prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve,” u shpreh kryeministrja.

Ajo bëri të ditur se Italia mori pjesë në samit me investime në mbrojtje dhe siguri që arrijnë në 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke theksuar se vendi përbën një aleat të besueshëm në kuadër të NATO-s.

“Italia ofron më shumë personel ushtarak se kushdo tjetër,” deklaroi Meloni.

Kryeministrja ndaloi edhe te ndikimi i teknologjisë në sektorin e mbrojtjes, duke vënë në dukje se një tank që kushton miliona euro mund të asgjësohet nga një dron me vlerë vetëm 20 mijë euro, ndërsa një operator i trajnuar për drejtimin në distancë të dronëve mund të rezultojë më vdekjeprurës se një snajper.

Sipas saj, shtimi i fondeve për mbrojtjen nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet edhe me kontroll mbi zinxhirët strategjikë të furnizimit.

“Nëse rrisim burimet financiare pa zgjidhur çështjen e kontrollit të zinxhirëve themelorë të mbrojtjes, rrezikojmë të paguajmë për të financuar varësinë tonë,” paralajmëroi ajo.

Meloni nënvizoi se orientimi i vetëm i qeverisë së saj mbetet interesi kombëtar.

Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, kryeministrja shprehu shqetësim për situatën në Iran.

“Nga Irani po vijnë lajme shumë të këqija,” deklaroi ajo, duke shtuar se pozicioni i Italisë për përdorimin e bazave ushtarake italiane nuk ka ndryshuar.

“Qëndrimi ynë për përdorimin e bazave tona është i qartë dhe do ta ruajmë,” theksoi Meloni.

Sa i përket Ukrainës, ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Italisë, por sqaroi se në takimin me të ashtuquajturit “Vullnetarët” do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

“Kjo nuk është shenjë mosangazhimi. Kam marrë pjesë në disa samite ndërkombëtare dhe kam detyrimin të merrem edhe me shumë çështje të tjera në Itali,” shpjegoi ajo.

Në fund të konferencës, Meloni iu kundërpërgjigj edhe opozitës italiane, e cila pretendon se qeveria po zhvendos fonde nga shëndetësia drejt mbrojtjes.

“Të thuash se po u heqim financime spitaleve për të rritur shpenzimet për armët është qesharake. Nëse na jepet një hapësirë fiskale për të rritur kapacitetin tonë mbrojtës, unë do ta shfrytëzoj atë pikërisht për të rritur mundësitë dhe sigurinë e Italisë,” përfundoi kryeministrja Giorgia Meloni.

Related Articles

Back to top button
Close
Close